Milaim Zeka prezantoi partinë e tij sot.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se ka marrë pjesë në hapjen e Partisë Euroatlantike të Kosovës (PEK), për shkak të lidhjeve familjare me deputetin e akuzuar për mashtrim, Milaim Zeka.
Musliu, e cila do të vazhdojë të jetë ende pjesë e PDK-së, tha se jeta e Milaim Zekës lidhet me rrugëtimin e Kosovës.
“Sot jam këtu si deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës, jo për t’u veçuar nga deputetët e tjerë që sot nuk janë këtu, por jam për disa arsye. Jam këtu sot për të uruar ty Milaim dhe familjen tënde. Jam këtu sepse jeta e jote, Milaim Zeka, lidhet me rrugën e Kosovës”, tha ajo.
Promovimi i Partisë Euroatlantike të Kosovës (PEK) ka nisur me fjalimin e Hysen Gecajt, një ish-ushtaraku, i cili ka thurur lavde për Milaim Zekën.
Sipas një njoftimi të PEK, partia më e re do të angazhohet për luftimin e hajnisë në Kosovë.
Por, nismëtari i themelimit të kësaj partie, deputeti Milaim Zeka, është i akuzuar për mashtrimin e mbi 900 kosovarëve me viza pune të Gjermanisë.