
Drafti i Asociacionit dërgohet në Kushtetuese pas zgjedhjeve, kështu ka deklaruar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, anipse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaronte kohë më parë se i njëjti fillimisht duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias.
“Draft-statuti për Asociacionin gjithqysh shkon në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Pres që vitin e ardhshëm të ketë intensitet të punës për dërgimin e draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim”, u shpreh Rashiq.
Dërgim tek Gjykata Kushtetuese të Draftit të Asociacionit kanë kërkuar edhe SHBA-të dhe BE-ja. Edhe në Kosovë, njohësit e proceseve të drejtësisë dhe opozita në vend, shprehen të mendimit se pas zgjedhjeve në Kosovë mund të ndodhë gjithçka, derisa deklaratën e ministrit Rashiq më shumë e konsiderojnë politike.
Haliti: Rashiq tregoi se pas zgjedhjeve drafti shkon në Kushtetuese
Deputeti i “Partisë Demokratike të Kosovës”, Xhavit Haliti për “Front Online” deklaron se ministri i Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq e ka treguar qartë pozicionin e tij, duke e cilësuar si person që i njeh marrëveshjet e arritura në Bruksel.
”Personalitet i denjë, personalitet që e ka të qartë pozicionin e të gjithëve në Kosovë dhe një personalitet që do e quaja si person që njeh marrëveshjet e arritura në Bruksel’’, thotë Haliti.
Haliti shton se duke dëgjuar deklaratën e tij, Rashiq tregon gatishmëri t’’ i zbatoj marrëveshjet e arritura.
‘’Është i gatshëm që duke qenë pjesë e institucioneve të Kosovës t’i zbatoj ato’’ deklaron ai.
Deputeti i PDK-së shprehet se pas zgjedhjeve në Kosovë mund të ndodhë shumëçka
‘’Tani edhe ne po themi që pas zgjedhjeve mund të ndodhë shumëçka”, tha Haliti.
Deputetja e AAK-së: Kurti nëse vjen sërish në pushtet do ta implementojë “Zajednicën”
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj ka kritikuar Qeverinë ‘Kurti’ lidhur me procesin e dialogut.
Kadrijaj tha për “Front Online” se Kurti po mashtron, kinse nuk e ka pranuar Asociacionin.
“Kurti premtoi para ardhjes në pushtet që nuk do të dialogojë fare, por pranoi draftin më të keq të mundshëm. Kurti ende po mashtron që se ka pranuar Asociacionin dhe marrëveshjen por i ka pranuar dhe prandaj ndërkombëtarët kërkojnë implementim”, thotë Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së shprehet se procesi i dialogut me Serbinë do të zvarritet deri në përfundimin e zgjedhjeve.
Sipas saj, nëse Kurti sërish vjen në pushtet, ai do ta implementojë ‘Zajednicën’.
“Do ta zvarris këtë proces deri pas zgjedhjeve dhe nëse vjen sërish në pushtet do ta implementoj edhe Zajednicën dhe marrëveshjet. Qeveria ka qenë jo transparente në këtë proces”, deklaroi Kadrijaj për “Front Online”.
Kryeziu për deklaratën e Rashiqit: Janë deklarata politike
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu për “Front Online”, deklaratën e ministrit të Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq, e sheh si deklaratë politike, dhe që i ndjekë politikat qeveritare.
”Këto deklarata të ministrave, janë deklarata politike dhe Qeveria është politike dhe ajo i ndjek politikat dhe një vendim në bazë të marrëveshjes së Brukselit, i dedikohet Qeverisë e cila duhet ta dekretoj projekt-statutin dhe ky projekt-statut shkon në Gjykatë Kushtetuese’’, thotë ai.
Kryeziu shprehet se deklaratat e tilla nuk kanë të bëjnë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
‘’Këto deklarata nuk kanë të bëjë me vendimin e Gjykatës sepse kjo e fundit nuk e merr lëndën vetë, por duhet me e dërgu dikush aty dhe këtë detyrë ekskluzivisht e ka kryeministri’’, thekson ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, njërën më 2013 dhe tjetrën 2015.
Në 2023-ten, Bashkimi Evropia ua prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim, por që më vonë kryeministri Kurti, e vlerësoi si “non-paper” këtë draft-statut.