Pse Shpend Ahmeti e anuloi konferenën ku do të fliste për tenderin e qumështit?

17:22 | 09 January 2019

Lëvizja Vetëvendosje po e akuzon Shpend Ahmetin rreth tenderit të dhënë për qumështin kompanisë Devolli Grup.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti me t’u kthyer nga Brukseli pati menduar t’i përgjigjet opinionit lidhur me tenderin e qumështit, por, për këtë i njëjti ndërroi shpejtë mendje pasi që pasi ftoi mediat anuloi paraqitjen e tij.

Këtë anulim të konferencës e bëri vetëm 15 minuta para se e njëjta do të niste.

Ahmeti kishte paraparë të fliste për kallëzimin penal që ia kanë bërë Lëvizja Vetëvendosje për keqpërdorimet me tenderë për furnizimin me qumësht.

Ish-partiakët e Ahmetit kanë ushtruar kallëzim penal në në Prokurorinë Themelore të Prishtinës kundër tij.

Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga VV’ja ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës, shkruan Express.

“Kallëzimin penal e paraqesim për keqpërdorim të mbi 530 mijë eurove në tenderin për furnizim me qumësht për klasat 1 deri në 5 në komunën e Prishtinës”.

Ahmeti nga Brukseli përmes një shkrimi të gjatë në Facebook tha se kjo u bë me qëllim në ditën e negociatave me Mogherinin.

“Duke ditur fillimin e negociatave në Bruksel dhe takimin shumë të mirë që patëm me Mogherinin dhe BE, VV zgjodhi ditën e sotme të vazhdoj atë PDK e kishte bërë krejt vitin 2017, kallëzime penale të rrejshme për spektakël dhe për të shfaqur dyshime. Të gjitha ato kallëzime u treguan të pasakta. Ashtu është edhe me PDKnë e re”, shkroi i pari i kryeqytetit.

Përmes një shkrimi në Facebook ka reaguar edhe aktivisti i VV’së, Valdrin Ahmeti.

“Shpend Ahmeti sot gjatë ditës ka thirrur konferencë për media në objektin e Komunës së Prishtinës për orën 15:00. 15 minuta para se të fillojë konferenca e anuloi.Secilit debat për tenderin e qumështit deri tani po i ikin (3 deri tani).E kuptoj, është turp i madh të dalësh e të mbrosh hajninë që e kanë bërë në qumështin e fëmijëve nëpër shkolla”, ka shkruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë në një konferencë për media shpalosi pretendimet e tyre rreth keqpërdorimeve me tenderin për furnizim me qumësht.

VV-ja e akuzon kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, se është i përfshirë në keqpërdorime.

Komento: