Ministria e Punëve të Jashtme kërkon hetim ndërkombëtar pse zyrtari rus i OKB-së u përfshi në operacionin e Veriut.
Për shtetasin rus, Mikhail Aleksandrovich Krasnoschenkov- zyrtar i UNMIK-ut në Kosovë, Ministria e Punëve të Jashtme u ka nisur letër OKB-së dhe shteteve tjera, për të kërkuar shpjegim pse ai doli kundër aksionit të Policisë së Kosovës kur po kryenin punën e vetë, kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Zyrtari rus që tentoi të mbrohej nën petkun e imunitetit përfundoi në stacionin e policisë, në spital dhe më pas u shpall person i padëshiruar (Non Grata).
Në këtë letër Kosova kërkon hetim të thellë ndërkombëtar ndaj tij.
Mikhail Aleksandrovich Krasnoschenkov, u arrestua për shkak të dyshimeve se pengoi aksionin e policisë duke barrikaduar rrugën- me makinën e tij zyrtare të UNMIK-ut.
Këtë sjellje nuk e ka duruar shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ku edhe kërkoi që të shpallet i padëshirueshëm në Republikën e Kosovës.
Kërkesë kjo që u aprovua nga Ministria e Jashtme.
Haradinaj e quajti Krasnechenkovin “agjent rus i kamufluar nën petkun e UNMIK-t”.
Por, për të sqaruar këtë vendim të qeverisë lidhur me rusin, MPJ u ka nisur letër në gjuhën angleze të OKB-së dhe shteteve tjera. Në këtë letër sqarohet se pse u bë arrestimi i zyrtarit të UNMIK-ut dhe pse u mor vendimi që të shpallet “non grata”.
Në letrën e siguruar nga Gazeta Express, Kosova kërkon që OKB të nisë një hetim të hollësishëm, të pavarur dhe profesional për përfshirjen e anëtarit të stafit të tyre në atë që ishte në rend të parë dëmtim i imazhit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe jo vetëm.
Qeveria e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë në një hetim të tillë të Kombeve të Bashkuara dhe do t’ia ofrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Kosova shpreh shqetësimin e saj të thellë që një anëtar i stafit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka përkrahur grupe kundër operacionit policor dhe kundër vullnetit për të vendosur sundim të rendit dhe ligjit…..Presin që Kombet e Bashkuara ta nisin një hetim të hollësishëm, të pavarur dhe profesional për përfshirjen e anëtarit të stafit të tyre në atë që ishte në rend të parë dëmtim i imazhit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe jo vetëm. Qeveria e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë në një hetim të tillë të Kombeve të Bashkuara dhe do t’ia ofrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork”, thuhet në letrën e MPJ-së.
Lexojeni letrën e plotë përkthyer nga anglishtja në shqip:
Republika e Kosovës dëshiron ta informojë komunitetin ndërkombëtar për arsyen e shpalljes së një anëtari të stafit ndërkombëtar të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë si person “Non Grata”. Republika e Kosovës vazhdon ta ruajë pozicionin mbështetës për ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë lidhur me punën e tyre për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.
Më 28 maj 2019, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, me urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e kanë zbatuar urdhrin për kërkim/kontroll në disa lokacione në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Qëllimi i këtij operacioni ishte që të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, kontrollimi dhe arrestimi i disa zyrtarëve policorë. Në ditën e kryerjes së operacionit, 19 zyrtarë policorë u arrestuan si të dyshuar, 10 qytetarë u arrestuan si të dyshuar dhe 9 civilë të tjerë u arrestuan për shkak të pengimit të zyrtarëve policorë në kryerjen e detyrave të tyre. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një zyrtar i UNMIK-ut.
Të gjithë personat e arrestuar janë trajtuar sipas standardeve dhe procedurave të parapara ligjore, duke i respektuar të drejtat dhe liritë e tyre, të cilat janë të garantuara me ligj.
Plani i policisë filloi të zbatohet ashtu siç ishte planifikuar në të gjitha rajonet, ku në shumicën e rasteve u krye pa incidente, përpos aksionit në rajonin e Zubin Potokut, ku në vendin e quajtur Klisura/Gorde, persona të panjohur kanë vendosur pengesa në rrugë, përfshirë vendosjen e drurëve, ndezjen e zjarreve dhe vendosjen e automjeteve të rënda.
Policia në këtë zonë hasi në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar, ku si rezultat i të shtënave, dy zyrtarë policorë u lënduan, njëri prej tyre seriozisht dhe tjetri pësoi lëndime të lehta. Disa zyrtarë tjerë policorë u lënduan gjatë aksionit për t’i larguar pengesat që ishin vendosur në rrugë nga qytetarët. Shumica e të dyshuarve ishin të dhunshëm gjatë arrestimit dhe rrjedhimisht policia ishte e detyruar ta përdorë forcën e nevojshme proporcionale me qëllim të vënies nën kontroll të personave të dyshuar.
Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u lënduan gjatë përpjekjeve për t’i larguar barrikadat që e penguan këtë operacion.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, konfirmoi se këto aksione janë pjesë e një operacioni të ekzekutuar ekskluzivisht nga Polica e Kosovës dhe se asnjë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës apo ndonjë grup tjetër ushtarak nuk ka qenë pjesë e këtij operacioni. KFOR-i gjithashtu ka konfirmuar se autoritetet serbe kanë qenë të informuara me kohë për këtë informacion.
Ia vlen të theksohet që gjatë largimit të barrikadave dhe disa personave që dolën në rrugë për ta ndaluar policinë, një veturë e Kombeve të Bashkuara, e tipit “Toyta” me ngjyrë të bardhë, me targa e mbishkrim të UNMIK-ut, është parë disa herë duke lëvizur së bashku me personat e dyshuar në vende të ndryshme, duke i dhënë përkrahje grupit të dhunshëm.
Gjatë kryerjes së misionit të tyre në segmentin e aksionit, zyrtarët e Policisë së Kosovës i arrestuan shtatë civilë që ishin të përfshirë aktivisht në vendosjen e barrikadave dhe pengimin e operacionit. Në mesin e tyre ishte edhe një zyrtar i Kombeve të Bashkuara me kombësi ruse, i quajtur Mikhail Krasnoshchenkov.
Z.Krasnoshchenkov e përdori një veturë zyrtare të Kombeve të Bashkuara me targa të UNMIK-ut për ta vendosur një barrikadë me qëllimin e vetëm të pengimit të Policisë së Kosovës për ta kryer misionin e tyre.
Policia e Kosovës gjeti dëshmi se z.Krasnoshchenkov e përdori veturën e Kombeve të Bashkuara për ta transportuar një sharrë me zinxhir në vendin ku ndodhi kjo ngjarje. Kjo sharrë u përdor për të prerë drurë që u hodhën në rrugë për ta parandaluar shkuarjen e Policisë së Kosovës në Zubin Potok. Z.Krasnoshchenkov e vendosi veturën e Kombeve të Bashkuara përballë këtyre drurëve në pozitë horizontale për t’i përforcuar barrikadat.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës komunikuan në gjuhën angleze me z.Krasnoshchenkovin, duke i bërë kërkesa të vazhdueshme këtij individi ta largojë veten nga ky qëndrim dhe ta ndërpresë ndërhyrjen në operacionin e vazhdueshëm policor.
Z.Krasnoshchenkov refuzoi të bashkëpunonte me policinë duke u thirrur në mbrojtjen nën imunitet diplomatik dhe gjithashtu refuzoi të identifikohen. Pas refuzimeve të përsëritura të z.Krasnoshchenkov për t’i respektuar kërkesat e policisë dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme për pengimin e lëvizjes së tyre, Policia e Kosovës e arrestoi këtë person.
Z.Krasnoshchenkov më vonë u dërgua në stacionin policor, ku u mbajt në ndalim dhe iu ofrua trajtim mjekësor para se të dërgohej në spital.
Me urdhër të Kryeprokurorit të Mitrovicës, njeriu i Kombeve të Bashkuara, ndonëse i dyshuar për veprime ilegale, për shkak të respektimit të imunitetit të tij, ai nuk u ndalua. Ky person u lirua bashkë me veturën zyrtare dhe iu dorëzua stafit të Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë. Sidoqoftë, ndaj tij është hapur rast për pengim të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave të tyre dhe pjesëmarrje në grumbullin e të dyshuarve.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës kërkoi sqarime nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë për këtë incident më 29 maj 2019. Ministria e Jashtme e Kosovës e informoi Misionin e Kombeve të Bashkuara për incidentin dhe priti një përgjigje për arsyen e pranisë së këtij zyrtari në momentin kur policia ishte duke intervenuar dhe arsyen pse krijoi pengesa për operacionin policor dhe pse përkrahu vendosjen e barrikadave në rrugë në kundërshtim me rolin e një zyrtari të Kombeve të Bashkuara.
Pas kësaj, Kryeprokurori i Mitrovicës kërkoi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës të kërkojë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara t’ia largojë imunitetin Mikhail Krasnoshchenkovit pasi ka dëshmi të mjaftueshme se ai ka qenë i përfshirë në vendosjen e barrikadave kundër operacionit policor. Ministria e Punëve të Jashtme e kërkoi një gjë të tillë përmes notës verbale nga Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe nuk mori ndonjë përgjigje.
Me kërkesë të kreut të Misionit të Kombeve të bashkuara, z.Mikhail Krasnoshchenkovit më 30 maj 2019 iu lejua largimi nga Kosova për kontroll shëndetësor.
Më 30 maj 2019, për shkak të mungesës së përgjigjes nga Kombet e Bashkuara për largim të imunitetit të Mikhail Krasnoshchenkovit dhe mungesës së vullnetit për të bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e shpalli Mikhail Krasnoshchenkovin person “Non Grata” dhe nuk do ta lejojë hyrjen e tij në Kosovë për shkak të veprimeve të tij kundër sigurisë kombëtare të Kosovës, rrezikut të shkaktuar për rendin publik dhe sundimin e ligjit.
Kosova shpreh shqetësimin e saj të thellë që një anëtar i stafit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka përkrahur grupe kundër operacionit policor dhe kundër vullnetit për të vendosur sundim të rendit dhe ligjit. Njëkohësisht, Kosova shpreh shqetësimin e saj për mënyrën se si funksionon Zyra Rajonale e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë dhe për lidhjet e saj me grupet e lidhura me krimin e organizuar dhe grupet që paraqesin kërcënim për sigurinë shtetërore të Kosovës dhe sigurinë publike të të gjitha komuniteteve. Kosova kërkon nga Kombet e Bashkuara të ofrojë transparencë të plotë të kësaj zyreje rajonale dhe veprimeve të saj në komunat që funksionojnë nën misionin e kësaj zyreje dhe kërkon sqarime për këtë incident.
Me qëllim të kthimit të kredibilitetit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kërkojmë nga Kombet e Bashkuara të fillojnë hetime të brendshme për sjelljen e gabuar të anëtarit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe të sigurohen se ky mision nuk po përdoret si mbulesë për veprime të dyshimta të stafit. Kërkojmë nga Kombet e Bashkuara të zbatojnë standarde të llogaridhënies për anëtarin e përfshirë në këtë rast dhe të ndërmarrë masa të nevojshme disiplinore ndaj tij.
Besimi mes Kombeve të Bashkuara dhe Kosovës është dëmtuar. Kombet e Bashkuara nuk kanë shfaqur vullnet për të bashkëpunuar dhe përmes disa deklaratave kanë ofruar versione të ndryshme për situatën. Ajo që është thënë në takimet me Qeverinë e Kosovës dallon nga ajo që Misioni i Kombeve të Bashkuara e thotë publikisht. Është e rëndësishme që Kombet e Bashkuara të shfrytëzojnë vullnetin e Kosovës për të bashkëpunuar lidhur me këtë çështje. Vonesat shtesë dhe deklaratat e paqarta vetëm do ta dëmtojnë transparencën e Kombeve të Bashkuara dhe do ta bëjnë të pamundur një marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Presin që Kombet e Bashkuara ta nisin një hetim të hollësishëm, të pavarur dhe profesional për përfshirjen e anëtarit të stafit të tyre në atë që ishte në rend të parë dëmtim i imazhit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe jo vetëm. Qeveria e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë në një hetim të tillë të Kombeve të Bashkuara dhe do t’ia ofrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Kosova e rezervon të drejtën për të marrë masa tjera në çdo rast kur stafi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë e kërcënon sigurinë shtetërore dhe rendin publik në Kosovë. Kosova nuk do ta lejojë keqpërdorimin e imunitetit si vend ku vepron ky mision. Kombet e Bashkuara duhet të sigurohen që stafi i tyre të jetë i trajnuar mirë, t’i respektojë autoritetet e vendit ku veprojnë dhe të jenë të vetëdijshëm për rrethanat.