Milan Skriniar arrin marrëveshje me PSG-në
Milan Skriniar raportohet se ka arritur marrëveshje verbale me Paris Saint-Germain për një transferim si futbollist në afatin kalimtar të verës së ardhshme.
Reprezentuesi sllovak ka refuzuar një ofertë për vazhdimin e kontratës me Interin, teksa kontrata e tij aktuale skadon në fund të sezonit.
Skriniar ishte objektiv i PSG-së edhe në afatin e verës së vitit të kaluar, por klubi italian refuzoi çdo mundësi largimi të tij.
Kësisoj, “Le Parisien” ka raportuar këtë të premte se 27-vjeçari ka marrëveshje verbale me kampionët e Ligue 1, për t’iu bashkuar atyre në verë si futbollist i lirë.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Skriniar të transferohet në “Parc des Princes” edhe gjatë afatit të tanishëm dimëror.
Sipas mediumit francez, Interi mund të detyrohet ta shesë ish-mbrojtësin e Sampdorias këtë muaj për të përfituar sadopak financiarisht.
Paris Saint-Germaini thuhet se është i gatshëm të paguajë deri në 15 milionë euro për transferimin e Skriniarit tani.