Sulmuesi i PSG-së dhe ylli i skuadrës braziliane të futbollit, Neymar, ka mbërritur të premten në Doha për një operacion në kyçin e këmbës së djathtë, një dëmtim që ia përfundoi para kohe sezonin.
Neymar, 31 vjeç, u largua nga fusha me barelë gjatë pjesës së dytë të një ndeshjeje të ligës franceze kundër Lille më 19 shkurt me një dëmtim në kyçin e këmbës.
PSG në pronësi të Katarit njoftoi se Neymar, i cili u bë lojtari më i shtrenjtë në botë në vitin 2017, do t’i nënshtrohet një operacioni në ligamentet e kyçit të këmbës në Doha në Spitalin Aspetar.
Neymar ka siguruar fansat e tij se do të “rikthehet më i fortë” pas operacionit.
Shëndeti i tij ka qenë një shqetësim i rregullt për PSG-në që kur nënshkroi një marrëveshje rekord prej 222 milionë eurosh dhe që atëherë ka humbur më shumë se 100 ndeshje për shkak të lëndimit ose pezullimit.
Që prej mbërritjes në Paris, ai ka luajtur vetëm 49 për qind të ndeshjeve të PSG-së në kampionatin francez.