PSG i dërgoi avionin privat, por transferimi i portierit japonez u anulua papritur

18:24 | 15 Gusht 2026

Paris Saint-Germaini ka anuluar transferimin e Zion Suzukit nga Parma, pavarësisht se klubet kishin arritur një marrëveshje verbale pas disa ditësh negociatash.

Sipas gazetarit Fabrice Hawkins, marrëveshja kishte një vlerë totale prej rreth 35 milionë eurosh, ndërsa gjithçka dukej se po shkonte drejt finalizimit.

PSG kishte shkuar aq larg sa që të shtunën kishte dërguar edhe një avion privat në Parma, me qëllim që portieri japonez të udhëtonte drejt Parisit për t’iu nënshtruar testeve mjekësore.

Megjithatë, transferimi dështoi papritur për shkak të problemeve që lidhen me kampin e lojtarit.

Në veçanti, kërkesat për komisione nga përfaqësuesit e Suzukit u konsideruan tepër të larta nga drejtuesit e PSG-së.

Dy klubet madje kishin filluar shkëmbimin e dokumenteve për transferimin, por në fund negociatat morën një kthesë të papritur dhe marrëveshja u anulua.

Suzuki, 23-vjeçar, iu bashkua Parmës nga Sint-Truiden në vitin 2024 dhe gjatë kësaj periudhe është konsoliduar si portieri i parë i Kombëtares së Japonisë.

PSG kishte planifikuar ta transferonte Suzukin këtë verë dhe më pas ta huazonte për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që portieri të vazhdonte zhvillimin e tij.

Komento: