Paris St-Germain po merr nga viti në vit goditje të rënda nga Barcelona, që e turpëroi para dy vitesh, me përmbysjen e çmendur 6-1 pas humbjes 4-0 në Paris në Champions League, ndërsa tashmë po e mposht bindshëm edhe në merkato, edhe pse Neymar mbetet një kujtim i hidhur për popullin blaugrana.
Së pari, mesfushori Adrien Rabiot ka refuzuar çdo ofertë të PSG-së për rinovim, vetëm e vetëm që të shkojë në Barcelonë në verë.
Nuk mbaroi aty, sepse Barça para pak ditësh zyrtarizoi edhe blerjen e mesfushorit Frenkie de Jong nga Ajax, në një kohë që holandezi kishte kohë që ndiqej nga PSG.
Kjo ka tërbuar presidentin e PSG-së Nasser Al-Khelaifi, i cili sipas mediave në Spanjë kërkon hakmarrje dhe synon t’i rrëmbejë Barcelonës brazilianin Philippe Coutinho.
Coutinho u transferua në Camp Nou në janar 2018 dhe ka kontratë deri në vitin 2023, ndërsa klauzola e prishjes së kontratës është 400 milionë euro.
Gjithsesi, paratë nuk janë problem për sheikët dhe synimi kryesor është bindja e Coutinho-s, para se të kalohet te sulmi final me ndonjë ofertë të parefuzueshme për Barcelonën.