Paris Saint-Germain nënshkruan me Cher Ndour
Paris Saint-Germain ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit Cher Ndour si lojtar i lirë, pas skadimit të kontratës me Benfican.
Klubi francez ka vazhduar me përforcime këtë verë, pasi tashmë ka konfirmuar transferimin e gjashtë në këtë afat kalimtar.
Pas Milan Skriniar, Marco Asensio, Manuel Ugarte, Lee Kang-In dhe Lucas Hernandez, PSG ka konfirmuar edhe ardhjen e Cher Ndour me anë të faqes zyrtare.
“Paris Saint-Germain është i kënaqur të njoftojë nënshkrimin e Cher Ndour. Mesfushori 18-vjeçar ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me klubin dhe do të mbajë numrin 27”, thuhet në njoftimin e PSG-së.
Ndour filloi si lojtar akademie për Brescian në vitin 2009, më pas kaloi te Atalanta më 2013, përpara se të transferohej në Portugali në vitin 2020 për të nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale me Benfica.
Mesfushori italo-senegalez fillimisht u paraqit për ekipin rezervë të Lisbonës në Liga Portugal 2, duke u bërë kështu, në moshën 16 vjeç e 279 ditë, lojtari më i ri ndonjëherë që ka luajtur për Benfica B.
Më 18 mars 2023, ai bëri debutimin e tij me ekipin e parë në një lojë kundër Vitoria de Guimaraes, gjë që i dha atij mundësinë për të luajtur një pjesë në fitoren e titullit të ligës së Benfica-s sezonin e kaluar.
“Jam shumë i prekur. Është një përzierje emocionesh, por është lumturi mbi të gjitha sepse Paris Saint-Germain është një nga klubet më të mira në botë me kaq shumë fitues dhe për mua është një nder të jem pjesë e kësaj familjeje të re”, ka thënë Ndour pas transferimit.