Një skandal i madh ka ndodh me disa policë të Kosovës.
Videoja zbulon veprimet e dyshimta të Policisë. Aty shihet se pas orës 22 ishin fikur dritat e lokalit.
Gjatë kontrollit, polici Milosh Zhivkoviq, hapë dollapin dhe sheh kuletën. Ai i tregon kolegut të tij, Shkumbin Jashari, i cili kapë kuletën dhe e fut në xhep. Jashari, është arrestuar të enjten për këtë veprim.
Një thënie e miliarderit, Bill Gates, me gjasë e ka ndikuar që zyrtari policor, Shkumbin Jashari, të harrojë se kush është.
“Kur ti ke para në dorë, ti harron se kush je. Kur ti nuk ke para në dorë, të tjerët harrojnë se kush je. Kjo është jeta”, citon Jashari, Miliarderin Gates në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Identifikimi i një kulete me 1.800 euro nga zyrtari policor, me gjasë ia ka kujtuar thënien e miliarderit sa i përket parave, raporton insajderi.
Orët e vona të bastisjes në një lokal të lojërave të fatit në Graçanicë, kanë rezultuar të begatshme për të.
Gjatë kontrolleve të urdhëruara nga Qeveria, Jashari, ka vjedhur një kuletë me 1.800 euro. Hajnia e tij është filmuar krejtësisht nga kamerat e sigurisë së këtij lokali.
Si pasojë e këtij veprimi, Jashari është prangosur të enjten nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “përvetësim i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor”.
IPK ka bërë të ditur prangosjen e zyrtarit policor, që ka shërbyer në Stacionin Policor në Graçanicë.
“Lidhur me këtë rast IPK ka kryer bastisjen në dy lokacione (shtëpinë dhe zyrën e të dyshuarit), me ç’rast janë konfiskuar disa sende në cilësinë e provave materiale. Të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjithashtu, IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart”, thuhet në komunikatën e IPK-së.