Sipërmarrësi i njohur shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elton Ilirjani, ka publikuar një tjetër video të artistes së madhe shqiptare, Parashqevi Simaku.
Në këtë video emocionuese, Simaku shihet e grimuar dhe në gjendje të mirë humori, duke sjellë një moment prekës e krenar për të gjithë shqiptarët.
Një moment veçanërisht simbolik është kur ajo puth flamurin kombëtar, të cilin e mban si shall në veshjen e saj, duke përcjellë një mesazh dashurie dhe respekti për atdheun.
Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ndjekësit kanë shprehur emocionet e tyre për kthimin e buzëqeshjes në fytyrën e një prej ikonave të muzikës shqiptare.
“Parashqevi SImaku falënderon veçanërisht Kryetarin e Bashkisë Kavajë! Dhe ajo thotë: Zoti ju bekoftë! Ishalla shihemi së shpejti”, shkroi Ilirjani në mbishkrimin e videos
Parashqevi Simaku është bërë tema më e përfolur e ditëve të fundit, që prej publikimit të një videoje të dhimbshme ku ajo shihej duke u endur rrugëve të New Yorkut. Pamjet prekëse bënë që komuniteti shqiptar të mobilizohej për ta ndihmuar, duke kërkuar gjetjen e saj dhe ofrimin e një strehimi dinjitoz për një grua që dikur ishte ylli i muzikës shqiptare.