Publikohet pasuria e Florent Ramqajt, këshilltarit të Aliut të përmendur në aferën e ryshfetit

18:46 | 14 Qershor 2022

Florent Ramqaj, këshilltari i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, javë më parë u raportua e dyshohet që është përfshirë në një aferë korruptive.

E për këtë raportim, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konfirmuar para disa ditësh se kanë nisur hetimet ndaj Ramqajt.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, Ramqaj ka deklaruar si pasuri të paluajtshme të përbashkët një tokë në vlerë 38 mijë e 25 euro, banesë të tij në vlerë 65 mijë e 480 euro dhe një garazhe të tij me depo në vlerë prej 7 mijë e 200 euro, shkruan lajmi. net.

Si pasuri të paluajtshme, Ramqaj ka deklaruar se ka një veturë në pronësi të prindit të tij, në vlerë prej 4 mijë e 900 euro.

Para të gatshme, këshilltari i ministrit Aliu ka deklaruar se ka 320.85 euro në dy banka vendore.

Sa i përket detyrimeve financiare, Ramqaj ka deklaruar në deklarimin e pasurisë se i ka tri kredi, dy në emrin e tij dhe një në emrin e prindit në një total prej 40 mijë eurove në tri banka vendore.

Në të hyrat vjetore, ai ka deklaruar se merr 6 mijë e 423.60 euro në vit nga paga në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërsa ka deklaruar se mëditjet i ka marrë kesh në vlerë prej 1 mijë e 238.30 euro. Ai ka bërë të ditur se prindi i tij merr 6 mijë e 156 euro në vit nga paga në shkollën ku punon.

Komento: