Publikohet raporti amerikan për Kosovën: FSK të transformohet në ushtri operacionale deri më 2027

15:58 | 04 August 2021

Raporti amerikan për Kosovën: FSK të transformohet në ushtri operacionale deri më 2027.

Qendra amerikane për studime rajonale “Wilson Center” ka publikuar një raport për Kosovën të titulluar “Konsolidimi i Pavarësisë së Kosovës: Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë”. Në këtë raport qendra amerikane rekomandon që partnerët ndërkombëtarë të Kosovës(ShBA dhe BE) duhet ripërtrijnë angazhimin për konsolidim të sovranitetit të Kosovës përfshirë edhe lehtësimin e transformimit të FSK-së në ushtri plotësisht operacionale deri më 2027 raporton Gazeta Express.

Forumi amerikan “Wilson Center” poashtu ka bërë disa rekomandime për ShBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe dhe NATO-n në raporton me Kosovën.

Mes tjerash thuhet që partnerët ndërkombëtarë duhet të dyfishojnë mbështetjen për pranim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, të liberalizohen vizat për Kosovën, të inkurajohen pesë shtetet mosnjohëse të BE-së që të ndryshojnë qëndrim për pavarësinë e Kosovës si dhe të lehtësohet zhvillimi i FSK-së drejt një ushtrie plotësisht operacionale deri në vitin 2027.

“Shtojeni bashkëpunimin mes Kosovës dhe NATO-s. Lehtësojini zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri plotësisht operacionale deri më 2027 dhe bashkëpunimin shtesë në ushtrimet e përbashkëta ushtarake”, thuhet në raportin e “Wilson Center”.

Në këtë raport poashtu flitet për sfidat e Serbisë, ku përmendet presidenti Aleksander Vuçiq i cili cilësohet si i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon e poashtu edhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë e Kinën.

“Rritja e udhëheqësisë joliberale, nacionaliste në Serbi, e udhëhequr nga Presidenti Aleksander Vuçiq, përbën një rrezik tjetër të konsiderueshëm ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, siç janë edhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën. Qeveria serbe vazhdon që haptazi ta sfidojë sovranitetin e Kosovës, e kërcënon unitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës përmes inkurajimit të ndarjes së Republikës Serbe dhe bashkimit të saj me Serbinë dhe punon për ta minuar sovranitetin e Malit të Zi përmes grupeve pro-serbe në qeverinë e re. Këto politika rajonale përçarëse dhe destabilizuese, si dhe përforcimi i ushtrisë serbe, përkrahen nga Rusia, e cila ka ndërhyrë drejtpërdrejt në shtete në mbarë Ballkanin, sidomos në Mal të Zi dhe në Maqedoni Veriore”, thuhet ndër të tjera në raportin e “Wilson Center”.

Komento: