DASH-i publikon raportin mbi liritë fetare, flet për lirimin e imamit Shefqet Krasniqi.
Departamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Raporti analizon në kapituj të veçantë edhe lirinë e besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen probleme të ngjashme me ato të përmbledhura në raportet e mëhershme.
Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Parlamenti shqyrtoi një projektligj që do t’i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridik.
Raporti vë re se më 23 mars Gjykata Themelore në Prishtinë, liroi Shefqet Krasniqin nga akuzat e ngritura në vitin 2017 për nxitje të terrorizmit, të urrejtjes fetare dhe evazion fiskal. Në muajin maj Gjykata e Apelit liroi katër imamë që ishin akuzuar për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore, fetare e etnike” duke ju referuar mungesës së provave.
Grupe të ndryshme fetare thanë se ndonëse kanë marrëdhënie bashkëpunuese me autoritetet nëpër komuna, megjithatë janë ankuar se ato shpesh nuk u ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta, posaçërisht kur bëhet fjalë për pronat e tyre, përfshirë lejet e ndërtimit.
Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, janë ankuar se qeveria i ka shkelur të drejtën e pronës, përfshirë edhe ndërtimet në Zonat e Posaçme të Mbrojtura. Autoritetet e komunës së Deçanit, përfshirë edhe kryetarin, vazhdojnë të refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017, që i ndau Kishës Ortodoksë 24 hektarë përreth manastirit të Deçanit. Komuna me mbështetjen e qeverisë qendrore, filloi ndërtimin e rrugës përmes Zonës së Posaçme të Mbrojtur përreth manastirit të Deçanit, në kundërshtim me ligjin që e ndalon një gjë të tillë.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) vazhdoi të raportojë diskriminimin social dhe atë në sferën e punësimit ndaj myslimanëve të devotshëm, posaçërisht në sektorin publik. Qeveria vazhdoi të punojë me BIK-un për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe dënoi vandalizimin e objekteve fetare, thuhet në raport, në të cilin përmendet edhe pengimi i besimtarëve serbë që të vizitojnë kishat në Gjakovë dhe në Istog.
Grupet fetare dhe udhëheqësit e tyre u takuan rregullisht për të diskutuar mbi pronat, çështjet ligjore dhe ato të komunitetit lokal. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka vazhduar të bashkërendojë disa veprimtari mes grupeve fetare, përfshirë takimet me kryetarët e komunave për të diskutuar çështje siç janë lejet për ndërtime.
Ambasadori amerikan dhe përfaqësuesit tjerë të ambasadës amerikane, takohen shpesh me zyrtarët qeveritarë për të nxitur tolerancën fetare dënimin publik të incidenteve të dhunës ose rasteve të frikësimit. Po ashtu ata bëjnë trysni për kalimin e ligjeve që u mundësojnë institucioneve fetare rregullimin e statusit ligjor dhe zbatimin e plotë të ligjit për mbrojtjen e objekteve fetare si dhe për të diskutuar përpjekjet për të zgjidhur çështjen e pronave, raporton VOA.
Ambasadori dhe përfaqësuesit e tjerë të ambasadës nxisin qeverinë në nivelet më të larta për të ndjekur penalisht kryerësit e dhunës apo kërcënimeve kundër Kishës Ortodokse dhe për të respektuar të drejtat pronësore të saj. Ambasada dekurajon zyrtarët publikë, institucionet arsimore dhe entitetet e tjera që të angazhohen në praktikat diskriminuese të punësimit ndaj myslimanëve dhe diskuton rregullisht për tolerancën fetare me udhëheqësit e të gjitha bashkësive të mëdha fetare.
Qeveria amerikane vlerëson se nga 1.9 milion banorë sa vlerësohet se ka në Kosovë, 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks.
Pakica serbe nuk i pranon këto të dhëna meqë ka refuzuar të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Kisha Ortodokse serbe thotë se ka 120 mijë besimtarë apo 6.3 për qind.
Raporti theksin se njësite shumetnike të policisë, të specializuara për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, të drejtuara nga një komandant serb i policisë, ofron mbrojtje 24 orëshe të 24 Zonave të Posaçme të Mbrojtura. Për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, nuk ka pasur incidente në ato zona.
Ministria e Punëve të Jashtme ndërpreu mbajtjen e Konferencës vjetore ndërkombëtare ndërfetare pas largimit të zyrtarit në detyrë nga viti 2017. Komuniteti hebraik tha se udhëheqësit fetarë e gjetën vendimin zhgënjyes; megjithatë, ata vazhduan të takoheshin rregullisht midis tyre.
Raporti vë re se politikanët e Listës Serbe, kritikuan dhe herë pas here kërcënuan peshkopin Teodosije Sibaliç dhe klerikë tjerë serbë në mjetet serbe të informimit, për shkak të kritikave të Kishës Ortodokse ndaj qasjes së Listës Serbe ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bashkësia Islame, sipas raportit, ka thënë se sekularistët i kanë portretizuar myslimanët e devotshëm nëpër medie në dritë negative dhe ka nënvizuar se portalet nganjëherë e barazojnë islamin me terrorizmin.
Gjatë vitit 2018 policia raportoi 86 raste të dëmtimit të zonave fetare, kryesisht dëmtime të pronës dhe vjedhje, 44 raste më shumë se në vitin 2017. Prej tyre 59 në pronat e Bashkësisë Islame dhe 23 të Kishës Ortodokse dhe 4 të Kishës Katolike.