Raporti i HRW për Kosovën: 2022-ta vit me tensione, kërcënime ndaj gazetarëve dhe komunutiteti LGBT+.
Ngritja e barrikadave në veri dhe tensionet e krijuara atje, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, vrasjet dhe dhunimet e vajzave dhe grave, diskriminimi i komunitetit LGBT+, janë disa nga çështjet që organizata Human Rights Watch (HRW) ka përmendur në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovë.
Në raportin e 33-të, HRW ka monitoruar gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën (BeH), Kosovën dhe Serbinë.
Sa i përket Kosovës, thuhet se gjatës 2022-tës ka pasur progres të ngadaltë në llogaridhënien për abuzimet e kohës së luftës. Aty përmendën ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë nën akuzat për krime të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në raport është trajtuar edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç thuhet, reagimi i dobët i organeve të shtetit.
Sipas raportit, në periudhën janar-gusht, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 22 raste sulmesh, kërcënimesh dhe kanosjesh ndaj gazetarëve dhe mediave.
“Asociacioni ka raportuar se në shumicën e rasteve gazetarët përballen me ngacmime, kërcënime dhe kanosje në platformat e mediave sociale. Sipas shoqatës, hetimet penale ecin ngadalë kur nis procesi”, thuhet tutje.
Në raport përmendet edhe gjuha e përdorur nga Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i cili në një postim të bërë në muajin shkurt në Facebook, ka etiketuar gazetarët dhe mediat në Kosovë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Ndërsa, përmendet edhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Luan Dualipi, i cili në mars në një postim në Facebook, ka bërë ndërlidhje të mediave të Kosovës me “bizneset kriminale” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë ato.
“Deklarata të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut në media dhe të krijojnë një mjedis armiqësor për gazetarët”, thuhet në raport.
Mes tjerash, në raport përmendën edhe 310 kthime të detyruara në Kosovë, shumica nga Gjermania, ku në mesin e tyre ishin 38 fëmijë, gjashtë romë, 13 ashkali dhe të tjerë shqiptarë etnikë.
Human Rights Watch është ndalur te dhuna ndaj gjinisë femërore në Kosovë, ku është përmendur rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar dhe vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre.
“Të mbijetuarit e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa për të marrë mbrojtje, duke përfshirë disa ndjekje penale dhe dështimin e gjyqtarëve për të lëshuar urdhra ndalimi kundër dhunuesve, si dhe ulje të dënimeve në rastet e vrasjeve të grave nga bashkëshortët e tyre, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës”, u tha në raport.
Te pjesa e orientimit seksual dhe identiteti gjinor, HRW ka përmendur Qendrën për Barazi dhe Liri e komunitetit homoseksual (LGBT+) në Kosovë, e cila ka regjistruar pesë raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj komunitetit, katër prej të cilave kanë të bëjnë ndaj dhunës nga anëtarët e familjes ose partnerët ndaj personave transgjinorë.