Tashmë është publikuar raporti i të drejtave të njeriut nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2018, ku në pjesën për Kosovën nxjerr si probleme: “kthimin e detyrueshëm të refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsionin endemik në qeveri, dhunën dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara”.
Raporti thekson rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ku ata, siç thuhet, janë kërkuar “nën akuza të paqarta”.
“OJQ-të dhe Institucioni i Avokatit të Popullit kanë thënë se qeveria ua ka mohuar të drejtën të të ndaluarve për të kërkuar azil ose për të apeluar vendimin për dëbim para gjykatës. OJQ-të dhe politikanët e opozitës kanë thënë se dëbimi i përshpejtuar ka qenë i motivuar politikisht”, thekson raporti.
I njëjti kujton se “kryeministri (i Kosovës) ka shkarkuar ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës të Kosovës si rezultat i incidentit”.
Te pjesa për lirinë e shprehjes, raporti thekson se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës e garantojnë lirinë e shprehjes dhe se qeveria në përgjithësi e ka respektuar këtë të drejtë.
Por, thuhet tutje, raporte të besueshme kanë përsëritur se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznesnmenë dhe grupe radikale fetare kanë bërë përpjekje t’i frikësojnë përfaqësuesit e mediave.
“Mediat gjithashtu hasën vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, ashtu siç parashihet me ligj”, thuhet në raport.
Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu thekson se ligji në Kosovë parashikon dënime penale për zyrtarët që kryejnë vepra korruptive, porse qeveria “nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive”.
“Zyrtarët, nganjëherë, janë angazhuar në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kanë kontribuar në këtë problem”, thuhet në raport.
Po sipas tij, incidentet e sigurisë kanë vazhduar kundër serbëve të Kosovës dhe këtu përmendet rasti i vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.