
Vetëvendosja publikon rezultatin e referendumit për marrëveshjen me LDK-në.
95.99 për qind të anëtarëve të Vetëvendosjes kanë votuar pro koalicionit me LDK-në.
Pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar një peticion për anëtarët e saj.
Përmes këtij peticioni, LVV-ja dëshironte të dinte nëse anëtarët e saj janë të kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar mes krerëve të partive, pavarësisht vullnetit të qytetarëve të shprehur më 6 tetor të vitit të kaluar.
Rezultatet e këtij referendumi tregojnë se 95.55 për qind e anëtarëve të Vetëvendosjes kanë votuar pro marrëveshjes, 3.64 për qind kundër dhe 0.37 për qind kanë qenë votime të pavlefshme.
Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes pa ndërhyrje:
MIRATOHET ME SHUMICË DËRRMUESE KOALICIONI LVV-LDK
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura sot sipas parimit “një anëtar-një votë”, baza e Lëvizjes VETËVENDOSJE! votoi me demokraci direkte për koalicionin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si në vijim:
PËR: 95.99%
KUNDËR: 3.64%
Të pavlefshme: 0.37%
Ky rezultat dëshmon për vullnetin e madh e të palëkundur drejt ndryshimeve të domosdoshme në qeverisjen e vendit, në përputhje me besimin e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit.
Prishtinë, 02.02.2020
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!.