Puna dyjavore e Qeverisë Kurti ishte e fokusuar në shkarkime e shfuqizime

23:23 | 20 Shkurt 2020

Puna dyjavore e Qeverisë së re të Kosovës ishte e fokusuar në shkarkime e shfuqizime.

Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në dy javët e para të punës së saj është fokusuar në shfuqizime të vendimeve e në shkarkime.

Vendimi i parë i miratuar nga qeveria e drejtuar nga Kurti ishte shfuqizimi i vendimit të qeverisë së Kosovës, i miratuar me datë 20.12.2017 për pagat e qeveritarëve.

Me rekomandimin e qeverisë, pagat e rritura për qeveritarët do të ktheheshin në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm.

Vendimi i qeverisë për t’i kthyer pagat në lartësinë e përcaktuar juridikisht siç ka qenë para 20 dhjetorit të 2017-ës nuk i ka përfshirë pagat në sistemin e drejtësisë.

Në po këtë mbledhje, qeveria Kurti vendosi gjithashtu të shkarkojë të gjithë koordinatorët nacionalë të emëruar nga kryeministri i qeverisë së kaluar, Ramush Haradinaj.

Sipas vendimit të qeverisë Kurti u shkarkuan: Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore; Koordinatori Nacional për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit; Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Republikën e Kosovës; Udhëheqësi i Projektit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve Endacakë; Koordinatori Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit; Koordinatori Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO; Koordinatori i Task – Forcës Kundër Narkotik tek të rinjtë dhe siguri në shkolla.

Ndërsa në mbledhjen e mbajtur dje, qeveria e Kosovës ka marrë edhe dy vendime të cilat prekin punën e qeverive të kaluara.

Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës e ka shfuqizuar vendimin e qeverisë Mustafa për përfitimet e ish-zyrtarëve pas përfundimit të mandatit të tyre me arsyetimin se do të zvogëlohen shpenzimet.

Gjithashtu, dje qeveria e Kosovës me rekomandimin e ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka vendosur të shkarkojë bordin e Drejtorëve të Telekomit.

Një vendim i tillë ka hasur në dyshimet e zëvendëskryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, por rekomandimet e tij për analizë të mëtutjeshme nuk janë marrë parasysh.

Shkarkimi i bordit të Drejtorëve të Telekomit u bë me arsyetimin se ata kanë shkelur detyrat e tyre financiare dhe si pasojë Telekomi është në krizë.

E ndërsa sot, vet kryeministri Kurti ka paralajmëruar shkarkime të reja nëpër pushtete të tjera të vendit.

“Më 3 shkurt është ndërruar vetëm qeveria, nuk janë ndërruar bordet dhe as menaxhmentet. Ne këtë nuk mund ta bëjmë për një ditë dhe as për një javë, por nuk do të ndalemi”, është shprehur Kurti.

“Nuk mjafton që në Republikën e Kosovës i vetmi pushtet që ndërrohet të jetë qeveria, por duhet të ndërrohen edhe pushtetet tjera”, ka theksuar ai.

Vendimet e qeverisë Kurti për shkarkimet e shfuqizimet e vendimeve nuk janë pritur mirë nga opozita në Kosovë.

Komento: