Nepotizmi po vazhdon ende të jetë një dukuri shumë e përhapur në Republikën e Kosovës.
Më shumë se 2500 punëtorë ka Telekomi i Kosovës, me gjithë këtë kapital human aty po vazhdojnë të punësohen njerëz të afërt me pushtetin. Janë fëmijë, nuse, kunetë, kunata e të punësuar të tjerë që brenda një kohe të shkurtër janë bërë pjesë e kësaj ndërmarrje publike. Në tërë këtë situatë qytetarët po gjejnë vend edhe për shaka. Në mediat sociale kanë shpërthyer shakatë për nepotizmin e lartë brenda Telekomit.
U raportua se brenda një muaji u punësuan më shumë se 200 punëtorë. Ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë për pak kohë rehatuan në telekom familjarët e tyre. Madje një nga drejtorët e Bordit të Telekomit, Osman Ejupi, për një muaj punësoi katër fëmijët e tij. Më pas dha dorëheqje.
E për punësimet me të njofshëm organet e hetuesisë në Kosovë kanë filluar hetimet. Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka.
“Njësia e hetimeve ka shkuar dhe i ka marrë dosjet e të punuësuarve në PTK. Ata do të na japin një raport të shkurtë dhe ne pastaj e procedojmë rastin”, tha kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, për Gazetën Express.
Në PTK janë rahatuar shumë njerëz të AAK-së. Deputetja e kësaj partie Donika Kadaj-Bujupi ka punësuar burrin. Nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj ka punësuar djalin. Ministri i infrastrukturës, ka punësuar rejën. Deputetja Teuta Haxhiu ka punësuar djalin.
Të gjithë këta kanë dhënë arsyetime banale kur janë pyetur se si i kanë punësuar të afërmit e tyre në Telekom.