Punëtorët e administratës së ATK-së nesër hyjnë në grevë, kjo është arsyeja

11:17 | 13 July 2021

Sindikata e Punëtorëve e Administratës Tatimore të Kosovës do të hyjë në grevë pasi Ministria e Financave nuk ka marrë për bazë kërkesat e saj.

Greva do të mbahet të mërkurën (14 korrik), me fillim në orën 09:00 deri në 12:00, duke i ndërprerë për tri orë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit.

“Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, pas ngritjes së kërkesave drejtuar Ministrisë së Financave dhe pas ripërsëritjes së dërgimit të shkresës së fundit me datë 9 qershor 2021, përmes të cilës i është dhënë afat prej 30 ditësh dhe meqë nuk është pranuar përgjigje në lidhje me kërkesat e adresuara, Sindikata njofton që ditën e mërkurë, më datën 14 korrik 2021, do të vazhdojë grevën e pezulluar të datës 20 maj 2021. Greva do të fillojë nga ora 9:00 deri 12:00, duke i ndërprerë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas Sindikatës, greva do mbahet në të gjitha drejtoritë e Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa i kanë bërë të ditura edhe arsyet e mbajtjes së kësaj greve.

“Krijimi i kushteve të punës; Propozim-ndryshimi i statusit të Administratës Tatimore të Kosovës; Kompensimet e tjera të shpenzimeve (sipas kërkesave paraprake)”, thuhet në këtë njoftim.

Komento: