Punëtorët e MKRS-së parandalojnë zhvendosjen nga objekti ku do të vendoset Presidenca

11:53 | 07 Dhjetor 2019

Punëtorët Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), sot janë paraqitur në zyrat e tyre duke filluar nga ora 7:30.

Kësaj radhe paraqitja e tyre në ditë vikendi në zyrat e tyre kishte për qëllim ndalimin e bartjes nga objekti ku operojnë në sheshin “Nëna Terezë”.

Në asistimin e Policisë së Kosovës në orët e hershme të mëngjesit kishte filluar bartja e gjë sendeve nga objekti i MKRS-së në një objekt privat, në mënyrë që objekti aktual t’i lëshohet Presidencës.
Por, rezistenca e punëtorëve bëri që të ndalet bartja nga objekti.

Labinot Berisha nga sindikata e punëtorëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka njoftuar se me përfaqësuesin e Ministrisë së Administratës Publike janë marrë vesh që të ndërpritet bartja e gjë sendeve nga objekti i MKRS-së.

“Ne u morëm vesh edhe me përfaqësuesin e MAP-it që mos të zhvendoset asnjë letër prej ministrisë dhe sigurisht kjo situatë mbetët të sqarohet brenda Ministrisë së Kulturës”, tha Berisha, përcjell ORAinfo

Sipas tij, zhvendosja nga ky objekt ka filluar pas asnjë vendim zyrtar.

“Më keq dhe më skandaloze ka bërë që nuk ka vendim për zhvendosjen e dokumentacionit dhe asteve të
MKRS-së. Kjo mënyrë e zhvendosjes nuk i përket një shteti ligjorë”, është shprehur ai.

Berisha ka ftuar edhe Prokurorinë që të merret me këtë rast.

“Ne kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë për mënyrën se si filloi zhvendosja pa asnjë procedurë institucionale”, është shprehur ai.

Punëtorët e MKRS-së janë shprehur kundër shpenzimit marramendës të parasë publike prej 41 mijë euro në muaj për pagesën e qirasë për një objekt privat që nuk i plotëson nevojat e një institucioni siç është MKRS dhe investimi me miliona euro për renovimin e objekti për Zyrën e Presidencës.

Ndryshe, zhvendosja e stafit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga objekti aktual po bëhet për t’ i lëshuar vend Presidencës së Kosovës. /ORAinfo/

Komento: