​Punëtoret teknike në Kuvend refuzojnë takimin me anëtarët e Komisionit për të drejtat e njeriut

14:08 | 22 November 2024
​punetoret-teknike-ne-kuvend-refuzojne-takimin-me-anetaret-e-komisionit-per-te-drejtat-e-njeriut

Gratë greviste, punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës, kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin me anëtarët e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut. Sipas tyre, deputetët s’kanë bërë asgjë dhe i kanë anashkaluar kërkesat e grave greviste, andaj takimi tani është i padobishëm.

Në emër të grave greviste foli kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili tha se zëvendësimi i tyre në Kuvendin e Kosovës, është çështje ligjore dhe po presin raportin e Inspektoratin e Punës.

“Nuk kemi bërë asgjë për neve. Na keni lënë në temperatura -5 këtu dhe tani e gjithë kjo do të përfundojë në Inspektorat të Punës. Keni thënë nga Kuvendi se kjo ka prapavijë politike dhe shumë gjëra. Ne kemi kërkuar 550 euro dhe i kemi pas 270 euro, mirëpo s’keni bërë asgjë. Marre për Kuvendin e Kosovës. Ne kemi besuar në ligj dhe sot po besojmë në ligj. Tani s’na nevojitet askush, mirëpo na nevojitet raporti i Inspektoratit të Punës. Ju jeni ata që na keni qit në holl të Kuvendit, që keni thyer ligjin e grevës dhe ne jemi gjithçka në rregull”, tha ai.

Për të diskutuar me gratë greviste doli kryetarja e komisionit, deputetja Duda Balje, e cila kërkoi nga punëtoret teknike të Kuvendit të mbajnë takim, mirëpo që edhe ajo u refuzua.

“Ne kemi lënë Kuvendin dhe personat përgjegjës për me gjetë zgjidhje për këtë punë. Ne kemi menduar si komision që me gjetë zgjidhje. Nëse doni me hy brenda ne si komision mendojmë se është shkelje e drejtave dhe i kemi thirrë gratë me bisedu me neve. Keni thirrje publike që me hy brenda dhe me gjetë zgjidhje”, tha ajo.

Pas refuzimit, deputetja Balje vazhdoi mbledhjen e komisionit. Ajo tha se pas takimit me gratë greviste kanë menduar të thërrasin Sekretarin e Kuvendit dhe përgjegjësit e kompanisë së pastrimit në Kuvend.

“Në momentin kur kemi konstatu si komision se është problemi i madh. Ne sot kemi vendos me thirrë dhe bisedu me gratë. Kurse javën tjetër me thirrë sekretarin dhe pronarin e firmës që është përgjegjës dhe me punu me gjetë një zgjidhje. Ato refuzuan me qenë me neve”, shtoi ajo.

Komento: