Punëtori humbi jetën në vendpunishten e “Vëllezërve Asllani”, krejt çka dihet deri tani

20:12 | 28 Korrik 2026

Punëtori që humbi jetën pas rrëzimit të një vinçi në një vendpunishte në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë ishte duke punuar në vend-punishten e kompanisë “Vëllezërit Asllani”.

Kompania “Vllezërit Asllani” është në pronësi të biznesmenit Qazim Asllanaj.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se vendpunishtja nuk ishte inspektuar më herët, pasi punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.

Sipas njoftimit, aksidenti ndodhi gjatë montimit të një vinçi, kur dy punëtorë pësuan lëndime. Njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa tjetri mbetet i shtrirë për trajtim mjekësor në gjendje të rëndë, por stabile.

Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet inspektuese në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse.

Megjithatë, Inspektorati tha se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza shtesë për të zbardhur rrethanat dhe për të vlerësuar nëse janë respektuar masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Pas tragjedisë ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës, e cila shprehu ngushëllime për familjen e viktimës dhe njoftoi se në vendin e ngjarjes kanë intervenuar Brigada Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.

Edhe kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, tha se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori.

“Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar Enis Pllana nga Policia e Kosovës.

Komento: