Punëtori që mbeti dy orë i varur në vinç, nuk u ftua në përurim të autostradës

18:51 | 29 May 2019

Sot është bërë përurimi i autostradës “Arbën Xhaferi”.

Këtë të mërkurë në Frontal ishte i ftuar Përparim Sadiku, dikur punëtor i Bechtel Enkas.

Sadiku, që ishte lënduar gjatë punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, nuk ka marrë ftesë nga kompania për të qenë pjesë në përurimin solemn të autoudhës.

“Nuk jam ndje aq mirë. Kur nuk je i ftuar në një firmë ku ke kontribuar pothuajse 10 vite, normalisht që zhgënjehesh”, deklaroi në Frontal Sadiku.

Madje, ish-punëtori i Bechtel Enkas, ka thënë të jetë zhgënjyer edhe nga Ministri Pal Lekaj.

“Mbi një javë kemi pritur, nuk është interesuar askush për neve. Kam pritur nga firma, nga Ministria e Infrastrukturës, por asnjëra nuk dërgoi ftesë. Kemi pritur nga ministri Pal Lekaj që të na ftojë, por nuk e bëri. Kjo dëshmon sa respektohen punëtorët”, shtoi Sadiku.

Në Frontal, Sadiku ka treguar se çfarë do t’i thoshte Kryeministrit Ramush Haradinaj e Ministrit Pal Lekaj nëse do t’i takonte.

“Nëse do ta takoja, do t’i thoja që një qytetar i Kosovës është më i rëndësishëm se një firmë turke ose amerikane”, tha Sadiku.

Janë gjashtë punëtor të Bechtel Enkas të cilët janë lënduar gjatë punimeve të autostradën 700 milionëshe.

Komento: