Punuan pa kontrata, mbi 150 mijë punëtorë të sektorit privat nuk kanë asnjë cent në Trust

12:40 | 08 December 2020

Mbi 150 mijë punëtorë të sektorit privat nuk kanë asnjë cent në Trust, punuan pa kontrata.

Mbi 150 mijë punëtorë të sektorit privat në Kosovë kanë punuar pa kontrata dhe rrjedhimisht nuk do të përfitojnë asnjë cent nga Pakoja për Rimëkëmbja Ekonomike, ku do të mund të tërhiqnin 10 përqind të mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës.

Shumë kompani private në Kosovë nuk ua kanë paguar kontributet punëtorëve për vite më radhë, kësisoj këta të fundit nuk kanë mundësi të heqin mjete nga trusti.

Këto të dhëna janë bërë të ditura për lajmi.net nga kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Këto statistika sipas Azemit janë para fillimit të pandemisë në vendin tonë.

“Po flasim gjithherë statistika para fillimit të pandemisë janë mbi 150 mijë punëtor në sektorin privat që kanë punuar pa kontrata punë dhe shumë normale që kur nuk kanë kontrata nuk ka pas edhe ndarje të trustit pensional”, ka thënë Azemi.

Azemi po ashtu ka thënë se para shumë viteve kanë parë që kompanitë private nuk po ua paguajnë trustin punëtorëve dhe ketë problem e kanë adresuar tek institucionet e larta shtetërore.

Por, ai thotë se vetëm tani do të shihen argumentet që ata i kanë dhënë se sa janë paguar kontributet ndaj punëtorëve.

“Faktikisht është bërë një pritje tepër e madhe e çështjes së ndarjes së mjeteve nga trusti. Fillimisht para shumë viteve, kemi parë që kompanitë private nuk janë duke e paguar trustin pensional konform rregullave dhe ligjeve në fuqi që i kemi. Pastaj i kemi njoftuar të gjitha organet relevante duke filluar nga presidenti i shtetit, kryeparlamentari, kryeministri, ministri i punës dhe inspektoratit të punës. Por, tek tani do të shihen një farë forme argumentet që i kemi dhënë se sa janë paguar kontributet ndaj punëtorëve”, ka thënë Azemi.

Azemi tutje thotë se janë mbi 100 mijë punëtorë të cilët do të përfitojnë më pak se 10 euro nga kjo pako.

“Vet fakti që i kemi mbi 104 mijë punëtor të cilët kompanitë, në llogarinë e punëtorëve për trust pensional kanë paguar nga zero deri në 100 euro, kjo i bie që 100 mijë punëtor do të marrin më pak para se sa 10 euro tregon se në çfarë niveli kemi qenë. Përndryshe jemi kategoria e dytë që janë rreth 200 mijë punëtor, të cilët në fondin e tyre kanë nga 100 deri në 1 mijë euro, që i bije që ata do të marrin nga 10 deri në 100 euro, që do të thotë pjesa dërrmuese e punëtorëve nuk mund ta arrijnë një shifrën më shumë sesa 100 euro tërheqje. Unë mendoj që do të këtë një reflektim social, kur punëtorët të kuptojnë se pronarët e kompanive të tyre ndoshta me 10 vite duke i gënjyer punëtorët se janë duke i paguar kontributet, e tani është moment që të shihet gjendja se sa kanë paguar e si kanë paguar”, shtoi tutje Azemi.

Ndrysh, dje është publikuar në gazetën zyrtare Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, një ditë pasi atë e dekretoi ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Ky ligji është votuar të premten, gjashtë muaj pasi ishte iniciuar nga Qeveria Hoti.

Në këtë ligj, ndër të tjera parashihet mundësia që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre nga Trusti.

Komento: