Pushteti i VV-së asnjë fjalë: Shumë reagime të tjera në Kosovë e Shqipëri për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup

09:35 | 07 Prill 2026
pushteti-i-vv-se-asnje-fjale:-shume-reagime-te-tjera-ne-kosove-e-shqiperi-per-protesten-e-studenteve-shqiptare-ne-shkup

Në Kosovë ka nxitur reagime të mëdha protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut.

Ata në numër të madh, kërkuan që t’i nënshtrohen testit në gjuhën shqipe.

Protesta është mbështetur në Kosovë nga parti politike e organizata të ndryshme, madje edhe në Shqipëri nga qeveria e Edi Ramës. Por, në Kosovë, pushteti i Vetëvendosjes, heshti totalisht.

Askush nga bartësit institucionalë nuk e tha asnjë fjalë për situatën atje. Kjo sigurisht pasi në pushtet në Shkup, janë partitë të cilat Albin Kurti i mbështeti në zgjedhje.

Përderisa në Shqipëri reagoi edhe ministri i Jashtëm, në Kosovë Glauk Konjufca zgjodhi të mos e thotë asnjë fjalë.

Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, ka thënë se përdorimi i gjuhës shqipe, është e drejtë themelore.

“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në #gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës #amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga #Kushtetuta e #Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e #Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme. Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për #politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore”, ka shkruar Hoxha në rrjete sociale.

Në Kosovë, mbështetje protestës i dha Partia Demokratike e Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës solidarizohet me kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë protestuar sot për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe profesionale, përkatësisht për provimin e jurisprudencës. E drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare është e garantuar me kornizën ligjore dhe kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të parimeve të barazisë, si dhe është goditje ndaj dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar shqiptar”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Njëjtë reagoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përkrah protestën e thirrur nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët me të drejtë kërkojnë realizimin e së drejtës për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Mbështesim kërkesën legjitime të studentëve dhe bëjmë thirrje që institucionet përgjegjëse të veprojnë pa vonesë, në respekt të barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve, të garantuara edhe me Kushtetutë në Maqedoni të Veriut”, reaguan nga AAK-ja.

Mbështetje protestës i dhanë edhe organizatat e dala nga lufta.

“Kur një shtet refuzon të zbatojë garancitë ligjore të vendosura, dështimi shkon përtej procedurës. Një mosveprim i tillë sulmon drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor, bashkë me paqen e brishtë që ai shtet pretendon se e mbron. Historikisht, shqiptarët nuk e kanë shtypur kurrë gjuhën e popullsive fqinje. Nuk kërkojmë të fshijmë identitetin e asnjë kombi, as të poshtërojmë bashkësitë që jetojnë pranë nesh. Megjithatë, gjuha jonë vazhdon të përballet me kufizime dhe status dytësor, në territore që janë historikisht shqiptare.”, thuhet në reagim.

Komento: