Ulqini dje është përfshirë nga erërat e forta dhe shira të dendura të cilat shkaktuan dëme të mëdha materiale.
Te prekur janë edhe pushuesit kosovarë që kanë zgjedhur bregdetin e Ulqinit për t’i kaluar pushimet.
Moti i ligë dhe erërat e forta kanë goditur mbrëmë qytetin bregdetar të Ulqinit duke shkaktuar kështu dëme të mëdha materiale.
Gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e të martës, ndërsa sot qyteti i Ulqinit është zgjuar me një pamje krejt tjetër.
Pemë të këputura nga era, makina të thyera e aksidentuara nga lisat e rrëzuar, e shumë dëme tjera janë rezultat i erës së fortë që kishte përfshirë Malin e Zi.
Nëpër rrjete sociale janë publikuar video e fotografi të ndryshme të cilat përshkruajnë më së miri gjendjen atje.
Për situatën në Ulqin ka shkruar përmes Facebook-ut edhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi, duke thënë se nuk kishte përjetuar diçka të tillë gjatë gjithë jetës së tij.
“Mbrame ne Ulqin ka pase nje furtune qe ka zgjate ma shume se nje ore dhe ka shkaktu deme te medha. Ne 47 vjet jete sa i kam nuk kam perjetu mot ma te lige”, ka shkruar Paçarizi.
Reshjet e shiut kanë përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë nga dita e djeshme.
Meteorologët kanë njoftuar se mot i ngjashëm do të mbajë edhe dy ditët në vijim, derisa temperaturat e larta pritet të kthehen përsëri.