U vaksinua kundër Covid-19, Putin tregon çka i ndodhi të nesërmen.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha ditën e sotme se kishte përjetuar efekte anësore të vogla nga vaksina e koronavirusit.
Ai mori dozën e parë të martën më 23 mars, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar një intervistë televizive.
“U zgjova të nesërmen në mëngjes pas vaksinimit dhe më dukej se ndjeva dhimbje të lehtë në muskuj. Mora një termometër dhe temperatura ime ishte normale, ” i tha ai kanalit televiziv shtetëror Rossiya 1.
Ai tha se gjithashtu kishte një ndjenjë të pakëndshme në vendin e injeksionit.
Kremlini njoftoi vendimin e Putinit për t’u imunizuar kundër koronavirusit në dhjetor dhe presidenti tha se vonesa ishte për shkak të një nevoje për ta kombinuar atë me vaksinat e tjera që ai planifikoi të merrte.
Putini tha se të tre vaksinat ruse, më e njohura dhe më e përhapura nga të cilat është Sputnik V, ishin pothuajse të barabarta.
Rreth dy të tretat e rusëve nuk janë të gatshëm të marrin vaksinën Sputnik V, sipas sondazhit të pavarur Levada Center, me shumicën e të anketuarve që përmendin efektet anësore si arsyen kryesore.
Rusia filloi fushatën e saj të vaksinimit kundër koronavirusit në dhjetor. Të hënën e kaluar Putini tha se 4.3 milion nga 144 milion rusë deri më tani kishin marrë të dyja dozat e vaksinës.
Rusia ka regjistruar mbi 4.5 milion infeksione nga koronavirusi deri më tani.
Putini tha se ai pret që Rusia të arrijë imunitetin e popullsisë dhe të heqë kufizimet e lidhura me pandeminë deri në fund të verës, raporton Reuters.
Me shpërthimin e ri të koronavirusit, disa shkencëtarë shpresojnë se imuniteti i tufës do të fillojë kur 50% dhe 70% e një popullate është imune.