Putin viziton Sirinë, takohet me Assadin

16:38 | 07 January 2020

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka vizituar Sirinë sot.

Ai është takuar me Bashar al-Assadin në kryeqytetin e Sirisë, Damask.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, në deklaratën për gazetarët tha se Putin ka realizuar një vizitë në Damask.

Ai njoftoi se Putin ka vizituar qendrën komanduese të trupave ruse në Siri.

“Në qendrën komanduese Putinin e priti Assadi. Dy liderët, dëgjuan raportet ushtarake në lidhje me gjendjet në rajonet e ndryshme të vendit”, tha Peskov.

Peskov gjithashtu theksoi se gjatë vizitës janë zhvilluar edhe takime mes delegacioneve.

“Putin në takimin me Assadin theksoi se është arritur një progres i rëndësishëm në mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë. Putin gjithashtu tha se mund të shihet me sy të lirë se jeta në rrugët e Damaskut tashmë i është kthyer normales”, tha ai.

Zëdhënësi Kremlinit shtoi se Putin gjithashtu do të vizitojë disa pika në Siri.

Komento: