
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj ka deklaruar se mandati i tij është i vlefshëm dhe do të vazhdojë të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës deri në një vendim të formës së prerë gjyqësor që e përcakton ndryshe. Këtë deklaratë Qalaj e bëri pas kërkesës që anëtari i KPK-së, Veton Shabani e kishte drejtuar tek Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes të cilës kishte kërkuar që ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të mos marr pjesë në mbledhjet e KPK-së.
Kjo kërkesë u lexua nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari qysh në nisjen e mbledhjes së radhës të këtij institucioni.
“Siç jeni në dijeni situata e krijuar së fundmi në Këshill është jo vetëm e padëshirueshme, por edhe jashtë kornizave të ligjshmërisë. Pas mbledhjes të datës 1 dhjetor 2025 e cila u mbajt menjëherë pas shkarkimit të kundërligjshëm të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi u informuam vetë nga Kelmendi se në përputhje me ligjin për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ai ka mbajtur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Prokurori, Agron Qalaj nuk është dashur të marr pjesë në atë takim ngase neni 15 paragrafi 2 i ligjit përcakton efektin suspenziv të vendimit. Ankesa ndaj vendimit të Këshillit ka efekt suspenziv dhe ndaloj implementimin e atij vendimi derisa shqyrtohet ankesa…Ju si kryesues i KPK-së jeni përgjegjës për të siguruar zbatimin e ligjshmërisë andaj është e domosdoshme të reflektoni dhe zotërinë Qalaj të mos marr pjesë në mbledhjen e ardhshme pa një vendim të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj kësaj kërkese iu përgjigj duke thënë se do të marr pjesë në mbledhjet e KPK-së deri në një vendim të formës së prerë.
“Bazuar në dispozitat ligjore dhe aktet në fuqi mandati im si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit është plotësisht i vlefshëm. Do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e mia dhe të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit deri në një vendim të formës së prerë që përcakton ndryshe”, theksoi u.d e Kryeprokurorit të Shtetit.
Qalaj potencoi se kërkesa për përjashtim të tij nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës duhet të mbështetet në dispozita ligjore.
“Ligji nuk parashikon asnjë formë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të këtyre vendimeve dhe ushtrimi i mandatit tim nuk kushtëzohet me asnjë procedurë ankimore. Pjesëmarrja ime në këtë mbledhje është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e dispozitave ligjore dhe vlefshmërisë së vendimeve të Këshillit. Lidhur me pretendimin për efekt suspenziv sipas nenit 15 të të ligjit për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve neni 15 i ligjit rregullon ekskluzivisht procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimet e Këshillit për caktimin ose shkarkimin e një u.d nuk janë masa disiplinore nuk bie në fushëveprimin e këtij ligji. Prandaj, aplikimi i kësaj dispozite për të pezulluar një vendim kolegjial është juridikisht i pambështetur….Pozita e u.d të Kryeprokurorit të Shtetit përfshinë detyrim ligjor për të marr pjesë në punën e Këshillit në cilësinë e anëtarit eksoficioi çdo kërkesë për përjashtim nga mbledhjet duhet të mbështetet në dispozita të qarta ligjore të cilat në këtë rast mungojnë..ndërprerja e funksioneve të Këshillit apo e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në pritje të procedurave gjyqësore do të krijonte pasiguri juridike dhe precedent të papranueshëm”, tha ai.
Përkundër këtij deklarimi, anëtari i KPK-së, Veton Shabani kërkoi të respektohet neni 15 i Ligjit për Përgjegjësi Disiplinore me qëllim të mos bëhen shkelje të tjera ligjore.
Tutje, gjatë kësaj mbledhje anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani kërkoi që pika për Themelimin e Komisionit Ad-hoc ndaj një anëtari të Këshillit të hiqet nga rendi i ditës.
Sipas tij nuk ka asnjë element dhe asnjë bazë që tregon se anëtari i KPK-së, Arian Gashi ka bërë shkelje.
Kundër këtij propozimi ishte kryesuesi i KPK, Ardian Hajdari i cili tha se pika 6 e rendit të ditës nuk do të tërhiqet.
E pas një pauze disa minutëshe, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdari tërhoqi pikën e 6 të rendit të ditës duke u thirr në atë se krijimi i Komisionit Ad-Hoc ndaj një anëtarit ë KPK-së është e pasafatshme.
“Pas konsultimeve me anëtarët e Këshillit duke e vlerësuar nenin 6 paragrafin 1 ku përcaktohet se kryesuesi i Këshillit në pajtim me nenin 11 të Ligjit të KPK-së brenda 15 ditësh nga data e pranimit të parashtresës së palës apo indikacion për kryerje të sjelljes së pahijshme themelon Komisionin Ad-Hoc për të hetuar sjelljen e pahijshme duke vlerësuar në pajim me këtë nen konsideroj se kjo kërkesë është pasafatshme dhe e tërheqë nga rendi i ditës”, theksoi Hajdari.
Ndërsa, Këshillit Prokuorial i Kosovës vendosi me votë që pika e rendit të ditës për Komisionin për Rekrutimin e Prokurorëve, i datës 04.12.2025 të diskutohet pa praninë e medieve.
Po në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit Prokuroriual të Kosovës miratuan vendimin që kryesuesi i këtij institucion, Ardian Hajdari ta nënshkruaj marrëveshjen e bashkëpunimin me Këshillin të Lartë së Prokurorisë të Shqipërisë.