Qalaj: Protesta po udhëhiqet nga Lista Serbe, situata në veri e tensionuar

09:41 | 24 September 2021

Ish-drejtori i Policisë: Protesta po udhëhiqet nga Lista Serbe, situata në veri e tensionuar.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj po e vlerëson jo të qetë e të tensionuar situatën në veri të vendit.

Qalaj thotë se bllokimi i rrugëve pas vendimit të masës së reciprocitetit për targat me Serbinë, s’mund të konsiderohet situatë e qetë.

Ndërkaq, thotë deputetët e Listës Serbe dhe strukturat komunale po e udhëheqin këtë protestë, në koordinim me Beogradin.

“Janë bërë disa ditë që forcat Speciale gjenden në pjesën veriore të Kosovës, ku për momentin raportohet që situata është e qetë, edhe pse unë e shoh mjaft të tensionuar me vet faktin që kemi njerëz në rrugë, kemi protestues e bllokadë të rrugëve, e assesi nuk mund të themi që situata është e qetë, pasi që kemi bllokim të lirisë së lëvizjes. Ju i keni parë se atje janë strukturat komunale, pjesëtarë të Listës Serbe, të cilët në një farë mënyrë po e mbajnë një komunikim me policët dhe me institucionet e Kosovës, ndërsa në anën tjetër po i udhëheqin protestuesit duke i udhëzuar sesi të veprojnë, gjithmonë në koordinim që e kanë me Beogradin”, tha Qalaj për EkonomiaOnline.

Teksa ka folur për vendimin e Qeverisë për reciprocitet me Serbinë, Qalaj thotë se partia e tij e konsideron si veprim të drejtë. Ndërkaq thotë se pjesëtarët e Policisë presin udhëzim nga institucionet për ta liruar atë pjesë.

“Meqenëse këtu e kemi një vendim të Qeverisë, që është veprim i drejtë dhe ne si PDK e kemi përkrahur, pasi që çdo temë që është në interes nacional, çdo herë do t’i përkrahim. Meqenëse vendimi është marrë nga Qeveria, Policia pret instruksione nga Qeveria e Kosovës, dhe për Policinë nuk është ndonjë problem pasi që kanë kapacitete dhe në aspektin profesional ata janë të përgatitur, mirëpo mendoj që ky vendim është duke u diskutuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe besoj se situata do të qëndroj e tillë, gjersa të kemi një sqarim nga Qeveria e Kosovës si të veprojë tutje”, ka thënë Qalaj.

Ndërsa për gatishmërinë e qytetarëve që t’iu sjellin ushqim pjesëtarëve të Policisë, Qalaj thotë se këtë nuk mund ta pranojnë, pasi ka të bëjë me çështje të sigurisë.

Ai thotë se ushqimi i tyre është i siguruar nga operatori i kontraktuar.

“Varësisht prej kushteve, Njësisë Speciale mund të them se janë disa pako të ndryshme që ata ushqehen, në kushte normale ata e kanë ushqimin e nxehtë e cila përgatitet në kampin Vrella, mirëpo kur janë të angazhuar në terren kushtet diktohen dhe shfrytëzojnë këto pako që i kanë të kontraktuar me një operator ekonomik, dhe unë besoj që atë ditë e kemi parë vetëm një racion që ka shkuar në mënyrë. Unë besoj se Policia i falënderon qytetarët, ndonëse nuk jam pjesë e saj, mirëpo nuk është mirë askush që të dërgojë ushqim, mirëpo Policia e Kosovës ka buxhetin e vet dhe policët duhet vetëm ta marrin ushqimin që e kanë të kontraktuar nga operatori, dhe këtë nuk mund ta marrin nga qytetarët për shkak të sigurisë”, u shpreh Qalaj.

Deri tash, Serbia nuk ka lejuar veturat me targa të Kosovës të hyjnë në Serbi, por u ka vendosur targa të përkohshme.

Të njëjtën gjë po e bën edhe Kosova, ku autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë.

Komento: