Qarkullimi nëpër rrugët e Kosovës, njoftim i rëndësishëm nga Ministria e Infrastrukturës

12:25 | 21 December 2020

Ministria e Infrastrukturës njofton se në mbarë vendin, kompanitë e kontraktuara po kujdesen që rrugët të jenë lehtësisht të kalueshme për automjetet.

Sipas MI-së, në disa zona, sidomos ato malore, është intervenuar me hedhje kripe, për të evituar krijimin e shtresave të akullta nga rënia e temperaturave dhe mjegulla.

“Sipas raporteve nga menaxherët mbikëqyrës të MI-së, nga kompanitë, në mëngjes dhe mbrëmje, është intervenuar në rrugët rajonale, Mitrovicë – Bajgore (R129), Deçan – Koznjer (R108), atë nacionale N9 në zonën e Dollcit, dhe akset rrugore Pejë – Kullë e Doganaj – Glloboqicë”, thuhet në njoftim.

Kripë është hedhur edhe në zonat turistike malore si Bogë e Prevallë.

Kompanitë e kontraktuara, me tërë makinerinë, bashkë me inxhinierët e MI-së, janë në mbikëqyrje të vazhdueshme të të gjitha rrugëve nacionale, rajonale, magjistrale dhe autostradave, gjatë 24 orëve.

Në fund, MI bën thirrje për kujdes të shtuar në vozitje me qëllim të evitimit të rreziqeve në komunikacion.

Komento: