Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj u shpreh se që 500 ditë Kosova është nën sanksione.
Lidhur me këtë, ai thotë se para ardhjes në pushtet të kryeministrit Albin Kurti, ishte e paimagjinueshme të besonte dikush që ndaj Kosovës do të vendoseshin sanksione nga Bashkimi Evropian.
Tutje Selmanaj shton se ky është në fakt Albin Kurti e rezultati i qeverisjes së tij.
“Para se të vinte Albin Kurti në pushtet, do të ishte e pa imagjinueshme të besonte dikush që ndaj Kosovës do të vendoseshin sanksione nga BE. Nuk janë 5 ditë, as 50 por 500 ditë që kur Kosova është nën masa sanksionuese nga vendet perëndimore, nga ato vende që dikur luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar deputeti në Facebook.
“Këto vende në vitin 1999 e sulmuan dhe e bombarduan Serbinë, që kishte mbetur e izoluar dhe nën mbështetjen e dy vendeve me regjim jo demokratik, Rusia dhe Bjellorusia. Me 2024 vendet perëndimore, përfshirë dhe SHBA-të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimin me vlera miliardëshe me Serbinë, kurse Kosova, Rusia dhe Bjellorusia gjenden në masa sanksionuese nga BE”.
“E rëndë, e papranushme dhe me pasoja shumë të rënda për vendin tonë. Ky është Albin Kurti, kjo është qeverisja LVV-Guxo, ky është rezultati i tyre!”.