Që nga janari mbi 2 mijë punëtorë të paregjistruar në vendin tonë

17:10 | 21 May 2022

Shumë punëtorë punojnë pa kontrata të punës.

Vetëm 170 punëtorë e kanë pasur guximin ta denoncojnë punëdhënësin e tyre për mosdeklarim të vendit të punës në Administratën Tatimore të Kosovës.

Nga janari deri më tani janë identifikuar 2 182 punëtorë të padeklaruar, punëtorë që nuk kanë kontrata pune dhe nuk u paguhen kontributet pensionale. Kështu kanë njoftuar zyrtarë të ATK-së, të cilët thonë se kanë pritur më shumë raportime nga ana e tyre për këto shkelje ligjore.

Administrata Tatimore e Kosovës ua ka krijuar mundësinë të gjithë punëtorëve, që nuk janë të deklaruar nga punëdhënësit e tyre tek ATK-ja, të verifikohen dhe ta denoncojnë punëdhënësin përmes një linku të publikuar në faqen e Administratës Tatimore të Kosovës. Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa, në një bisedë për Radio Kosovën tha se është shumë i vogël numri i punëtorëve që kanë deklaruar apo denoncuar punëdhënësin e tyre për mosdeklarim.

“Nga fillimi kur e kemi lansuar këtë projekt e deri më tani kemi 171 punëtorë të cilët, pas verifikimit që kanë bërë, kanë denoncuar punëdhënësin e tyre. Prej dhjetorit deri më tani vërehet se numri nuk është i madh. Ne kemi pritur më tepër raportime, verifikime, mirëpo kemi një mosvetëdijesim të punëtorëve për benefitet dhe rëndësinë e deklarimit nga ana e punëdhënësit”, tha ajo.
Bytyqi Sefa theksoi se partneriteti me qytetarë nuk është duke munguar dhe falë raportimit të tyre, nga janari deri më tani janë identifikuar mbi 2 mijë punëtorë të paregjistruar që punojnë në të “zezën”.

“Partneriteti me qytetarët nuk është duke munguar, ata vazhdimisht flasin dhe nga ajo që shohin raportojnë se në “X” biznesin mund të ketë punëtorë të padeklaruar. Nga janari deri më tani kemi identifikuar 2 183 punëtorë të paregjistruar. Ne hasim në vështirësi në momentin kur ka dyshime për punëtorë të padeklaruar, sepse në momentin që inspektorët tanë zhvillojnë aktivitetin e tyre ata menjëherë kthehen në pozitën e blerësit në atë biznes”, shtoi ajo.

Për këtë ATK është duke zhvilluar aktivitete në mënyrë investigative sepse kjo, sipas Bytyqi Sefes, është në të mirën e punëtorit së pari, por edhe të buxhetit të shtetit. Veprimtaritë që kanë më së shumti punëtorë të padeklaruar janë: ndërtimtaria, gastronomia dhe shërbimet e mirëmbajtjes. Për punëtorë që nuk kanë rrjete sociale, ATK në vazhdim do të bëjë fushata sensibilizuese, ku do të dërgojë edhe mesazhe telefonike në mënyrë që t’i detyrojnë punëdhënësit që me punëtorët të lidhin kontrata pune ligjore.

Komento: