Që nga shpallja e pavarësisë diaspora ka dërguar mbi 13 miliardë euro në Kosovë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Që nga shpallja e pavarësisë diaspora ka dërguar mbi 13 miliardë euro në Kosovë

15:12 | 02 Gusht 2022

Vlera e remitancave deri në pesëmujorin e parë të këtij viti ka arritur 445.4 milionë euro dhe është pothuajse e njëjtë me vlerën e remitancave të së njëjtës periudhë të vitit kaluar. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën Banka Qendrore e Kosovës.

E njohës të ekonomisë vlerësojnë se të hyrat nga diaspora janë arteria kryesore e zhvillimit ekonomik në vend. Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, që nga shpallja e pavarësisë në Kosovë diaspora jonë ka dërguar më shumë 13 miliardë euro.

Edhe përkundër inflacionit në nivel global, diaspora vazhdon të kontribuojë me dërgimin e parave për familjet e tyre në Kosovë. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë tregojnë se në pesëmujorin e vitit 2022, diaspora ka dërguar 445.4 milionë euro. Këtë e bëri të ditur në një përgjigje për Radio Kosovën zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovë, Kushtrim Ahmeti.

“Ju njoftoj se vlera e remitancave deri në muajin maj të këtij viti ishte 445.4 milionë euro. Kjo shumë është pothuajse e njëjtë me vlerën e remitancave në të njëjtën periudhë të vitit kaluar”, tha ai.

Ndërsa, njohës të ekonomisë vlerësojnë se të hyrat nga diaspora janë të hyrat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Se remitancat janë arteria kryesore e ekonomisë në vend e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Mirëpo ai thekson se këtë vit të hyrat nga diaspora janë pak më të ulëta si pasojë e inflacionit.

“Ajo çka është me shqetësuese, përveç inflacionit dhe trendëve negativë, është fakti që po vërehet që edhe fluksi i diasporës i kësaj vere nuk është ai i nivelit të vitit të kaluar. Kjo është shqetësuese, pasi e dimë që infuzioni ose arteria kryesore e zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale ka qenë diaspora”, shtoi Gërxhaliu.

Për sa u përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti prej nga më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. Ndërsa, Banka Botërore thotë se që nga shpallja e pavarësisë në Kosovë janë dërguar mbi 13 miliardë euro. /RTK

Komento: