Qehaja: Shumë maturantë të shohin Universitetin si një mundësi të dytë

10:08 | 06 January 2025
qehaja:-shume-maturante-te-shohin-universitetin-si-nje-mundesi-te-dyte


Rinor Qehaja, drejtor i Institutit ‘ED Guard’, ka ndarë mendimet e tij mbi faktorët që po ndikojnë në rënien e numrit të studentëve në Universitetin e Prishtinës dhe ka sugjeruar disa masa për përmirësimin e situatës. Qehaja theksoi se rënia e numrit të studentëve nuk është vetëm një pasojë e faktorëve demografikë, por edhe e ndryshimeve në perceptimin e maturantëve për shkollimin universitar. Ai shtoi se shumë të rinj po preferojnë të hyjnë menjëherë në tregun e punës pas përfundimit të shkollës së mesme, duke kërkuar mundësi për një karrierë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë. Kjo ka bërë që shumë maturantë të shohin Universitetin si një mundësi të dytë dhe të mos konsiderojnë më arsimimin e lartë si një hap të domosdoshëm për zhvillimin e karrierës.

“Rrënja e numrit të studentëve përtej karakterit demografik padyshim që ka për faktor edhe ndryshimet në perceptimet e maturantëve për shkollimin universitar, futjen e drejtpërdrejt ne treg të punës pas shkollimit të mesëm’’, tha Qehaja.

Një tjetër faktor që Qehaja vuri në dukje është rritja e numrit të studentëve që preferojnë studimet në kolegje private.

‘’Arsye është edhe  trendin të rritje të studimeve në kolegje private si rezultat edhe i një ofertë të studimeve’’, deklaroi Qehaja. Qehaja theksoi rëndësinë e tregut të punës në zgjedhjen e drejtimeve akademike nga studentët. Ai theksoi se në kushte normale, mundësitë për punësim dhe karrierë të profileve të caktuara duhet të jenë faktorë determinues për përzgjedhjen e studimeve.

Sipas tij, sa më të vetëdijshëm të jenë maturantët për mundësitë që ofron tregu i punës, aq më të drejtpërdrejta dhe më të orientuara duhet të jenë zgjedhjet e tyre për drejtime akademike.

“Tregu i punës dhe mundësitë për punësim dhe karrierë të profileve të caktuara në kushte normale do të duhej të ishte determinues për përzgjedhjen për studime, dhe, sa më i rritur vetëdijesimi i maturantëve aq më në peshë drejtimi i studimeve’’, deklaroi për Front Online Qehaja.

Ai gjithashtu ka kritikuar Universitetin e Prishtinës për mungesën e fokusit të tij tek nevojat e studentëve. Ai ka shprehur shqetësimin se universiteti po e konsideron regjistrimin e studentëve si një proces të mirëqenë, duke menduar se kjo do të vazhdojë derisa financimi të jetë i mirëqenë.

“Universiteti i Prishtinës ende nuk e ka në vëmendje studentin. Kam përshtypjen që regjistrimi i studentëve është konsideruar i mirëqenë, dhe do të vazhdoj kështu deri sa universiteti të ketë financimin e mirëqene’’, potencoi Qehaja. /Frontonline/

 

Komento: