Qelaj skeptik për efektin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen

08:33 | 15 Tetor 2026
avokati-i-popullit-i-shqiperise-vjen-ne-kosove,-bashke-me-qelajn-takojne-haxhiun-dhe-kryetarin-e-kushtetueses

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është shprehur skeptik të mërkurën se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të përbëjnë ndihmë për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së që u dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim. Ai ka vlerësuar se beteja për drejtësi duhet të zhvillohet në gjykatë dhe jo përmes ndryshimeve ligjore.

Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Qelaj ka thënë se e respekton vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvend, por ka theksuar se mbetet të shihet se çfarë ndikimi do të kenë këto ndryshime në punën e Dhomave të Specializuara.

“Askush nuk mund t’ia ndalojë Kuvendit të hartojë ligje. Është e drejtë dhe është zgjedhje e tyre. Por, sa do të ndryshojë ky ligj, unë jam skeptik qysh në fillim, sepse betejat për drejtësi fitohen në gjykatë dhe jo me ndryshime ligjore”, ka thënë Qelaj.

Ai ka shtuar se, pas dekretimit të ligjit nga presidentja, ai do të hyjë në fuqi dhe nuk sheh arsye që zbatimi i tij të kontestohet, megjithëse efekti juridik në raport me Dhomat e Specializuara mbetet për t’u parë.

Paraprakisht, gjatë publikimit të një raporti të Institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me Specialen, Qelaj ka konstatuar se kjo gjykatë ka devijuar nga mandati për të cilin ajo është formuar.

Ai ka shtruar nevojën për analizë nga themeluesit dhe financuesit e gjykatës me seli në Hagë.

“Gjykata ka devijuar nga qëllimi fillestar që rrjedh nga Raporti i Këshillit të Evropës, pastaj duke vënë edhe dilema shumë të mëdha në juridiksionin që zbaton Gjykata dhe nëse po i përmbahet atij juridiksioni”, ka thënë Qelaj.

Ai ka thënë se prej që është themeluar Specialja, është cenuar edhe standardi i integritetit institucional, meqë ajo ka si të veçanta jo vetëm shkallët gjyqësore, por edhe avokatin e popullit.

Komento: