Qendra e Prishtinës akoma pa ujë, vazhdojnë ende punimet

21:08 | 12 May 2019

Punimet për rikthimin e furnizimit me ujë në Qendër të Prishtinës po vazhdojnë.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka njoftuar se sanimi i defektit të gypit të ujit në rrugën “Luan Haradinaj” mund të zgjasë deri në orën 23 të dielën.

Ajo ka thënë se fillimisht ishte pritur që sanimi të kryhej në orën 18:00, por sipas informacioneve nga ekipi kujdestar sanimi mund të zgjasë deri në orën 23.

Mjeku ka bërë të ditur se defektet e tilla ndodhin papritur dhe sanimi në raste të tilla është më i vështirë për shkak të pozicionit të tubit dhe diametrit.

Pëlcitja e tij ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me ujë në qendër të kryeqytetit.

“Me sinqeritetin më të madh kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët, sepse puna aty ka filluar në orën 06:00 e që realisht po punohet pa ndërprerë ende”, ka thënë ajo.

Komento: