Qendrat e vaksinimit vazhdojnë të jenë të mbyllura të dielën

18:08 | 05 Shtator 2021

Ditë në parë u tha që do të ketë vaksinim edhe në fundjavë,por një gjë e tillë nuk po ndodh.

Qytetarët po vazhdojnë të vaksinohen çdo ditë e më shumë me vaksinat kundër virusit COVID-19.

Por, Ministria e Shëndetësisë është kritikuar qysh në muajt e parë të Qeverisë Kurti se po i kufizon qytetarët për t’u vaksinuar, duke lejuar që Qendrat e Vaksinimit nëpër komuna të pushojnë gjatë të dielës.

Në fotot e bëra nga lajmi.net nga Qendra e Vaksinimit në Prishtinë, shihet se gjatë ditës së diel nuk punon dhe qytetarët nuk mund të vaksinohen, duke bërë që kështu gjatë të dielës administrohen rreth 20 mijë vaksina më pak për qytetarët.

Qendrat e vaksinimit në të gjithë vendin deri më sot kanë administruar thuajse çdo herë mbi 7 mijë vaksina në ditë, ndërsa gjatë javëve të fundit ky numër ka arritur në rreth 20 mijë vaksina në ditë.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë është kritikuar edhe më herët që edhe pse rastet me COVID-19 janë duke u rritur dhe qytetarëve i është premtuar vaksinim masiv i popullatës kundër virusit, Qendrat e vaksinimit nuk po e ofrojnë këtë mundësi gjatë të dielave.

Kujtojmë se gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar 19 mijë e 526 qytetarë me vaksinat anti-COVID-19.

Qeveria dhe MSH-ja kanë apeluar vazhdimisht tek qytetarët që të vaksinohen në mënyrë që të parandalohet ngritja e rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19, por deri më sot ende nuk kanë bërë që Qendrat e vaksinimit kundër virusit të punojnë 7 ditë në javë.

Komento: