Qëndrimi i ri i Kurtit – I kërkon Mustafës ta rrisin në 16 numrin e ministrive dhe t’i ndajnë bordet politike

15:51 | 10 Janar 2020

Kurti me ofertë të re për LDK-në.

Vetëvendosje dhe LDK nuk po mund të merren assesi vesh për ndarjen e posteve në marrëveshjen e tyre për bashkëqeverisje.

Në fakt, kohëve të fundit arritja e marrëveshjes është komplikuar edhe më shumë si rrjedhojë e kërkesave të papritura të dy subjekteve karshi njëra-tjetrës.

Lajmi nga burimet brenda takimeve ka mësuar se lideri i VV-së, Albin Kurti ka pasur ndryshime të dukshme të qëndrimeve të tij paraprake politike.

I zënë ngusht nga “standardet” që i kishte vendosur vet, ai ka filluar edhe të tjetërsohet.

Në fillet e negociatave, ai kishte hedhur poshtë propozimin e LDK-së që qeveria e re të ketë 16 ministri, duke këmbëngulur që ajo të ketë vetëm 12 të tilla.

Mirëpo kjo nuk qëndroi shumë gjatë. Burimet e lajmi.net kanë treguar se në takimin e mbrëmshëm, Kurti i ka kërkuar Mustafës që numri i ministrive të rritet deri në 16, si dhe të ketë marrëveshje edhe për bordet politike të ndërmarrjeve publike dhe për bartësit e agjencive shtetërore.

“Albin Kurt i ka kërkuar Isa Mustafës që të rritet në 16 numri i ministrive, dhe po ashtu të ndahen edhe bordet publike”, ka thënë ky burim brenda takimit.

Sidoqoftë, ani pse ishte vet Mustafa që më herët këtë propozim ia kishte bërë Kurtit, ai të njëjtin kësaj rradhe e ka refuzuar, duke thënë se është joserioze të shkohet tani me këtë formulë.

Ndërkaq, sa i përket bordeve, mësohet se Mustafa ka thënë se do të diskutojnë pas arritjes së marrëveshjes.

E kujtojmë se ishte vet Kurti, ai që përmes një video-mesazhi publikoi emrat e pesë ministrave që ai synon t’i ketë në qeverinë e tij.

Sipas formulës që kishte proklamuar Kurti, qeveria e tij do të kishte 12 ministri, e jo 16 sa po i kërkon tash ai.

Komento: