Një minator i Trepҫës ka bërë një rrëfim mjaftë rrënqethës për ngjarjen që ka përjetuar ai vet.
Sa herë që i afrohen derës së Trepçës, i kaplon emocioni i njëjtë sikur para 30 vitesh.
Për tetë ditë rresht, minatorë nga e gjithë Kosova kishin qëndruar rreth 800 metra nën tokë në grevë urie, grevë kjo që i ktheu sytë e botës nga Kosova. E
ndonëse kanë kaluar tri dekada që prej atëherë, pjesëmarrësit nuk e kanë harruar asnjë detaj nga ato ditë, dhe me krenari kujtojnë atë kohë. U sjellim rrëfimin e 59 vjeçarit, një prej grevistëve të ‘89-ës.
20 shkurti i çdo viti u kujton ditët që i kaluan rreth 800 metra nën tokë. Ani pse kanë kaluar 30 vite nga atëherë, minatorët nga e gjithë Kosova nuk kanë harruar detaje nga ditët që i kaluan pa ngrënë.
Për tetë ditë rresht, mbi 1 mijë e 300 minatorë nga i gjithë vendi ishin bërë familje për njëri-tjetrin, e kishin vendosur të mos hiqnin dorë nga kërkesat e tyre me asnjë kusht.
Por, minatorët që ishin në gjendje të vdisnin urie vetëm që të mbronin autonominë e atëhershme të Kosovës, sot janë harruar e janë lënë anash nga shteti. Sipas tyre për ta nuk kujtohet askush përveç në përvjetore.
Ruzhdi Gashi i kujton me krenari ato ditë. Ai është njëri nga grevistët e 89-ës, njëherit Kryetar i Shoqatës së Minatorëve, Pensionistëve e Invalidëve të Republikës së Kosovës.
Gashi kujton kohën kur minatorët ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk hiqnin dorë nga greva, që të mos i lënë shokët vetëm.
“Po kemi pas momente kur minatorët kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk kanë dashtë me u nda nga greva me i lanë shokët e vetëm, dhe kanë qenë në gjendje me vdekë. Unë kur i kujtoj ato ditë ndjehem krenar dhe më kujtohen si sot ato ditë, por gjendja e minatorëve sot në çfarë gjendje janë më mundon shumë se nuk janë në gjendje të mirë”, thotë Gashi.
Por, kur i kujton ato ditë, tash ndjehet keq për gjendjen në të cilën ndodhen minatorët. Derisa shpreson se tash e tutje do të investohet nga shteti në Trepçë.
“Gjendja e Trepçës deri më tani nuk ka qenë e mirë por me Ligjin për Trepçën dhe statusin e Trepçës që është aprovuar në Kuvend, si shoqëri aksionare është shpëtuar Trepça dhe tani do të investohet nga shteti. Kurse gjendja e minatorëve dhe ish-minatorëve nuk është e mirë. Ish minatorët e pensionuar dhe pension të parakohshëm janë më një pension minimal që nuk e meritojnë minatorët”, tregon Gashi.
Fjalë më të mira për gjendjen e gjigantit metalurgjik nuk ka as Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në ceremoninë e shënimit të 30 -Vjetorit të Grevës së Minatorëve në Stantërg, Haradinaj tha se gjendja e Trepçës është turpëruese.
Kreu i qeverisë deklaroi se “mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, është kthimi i Trepçës në burim jete”.
“Fakti se sot e kemi votuar statutin e Trepçës mund të na ngushëllojë, por nuk mjafton. Ne nuk e kemi regjistruar ende Trepçën si kompani në bazë të ligjit, duhet të regjistrohet, janë aksionarët që duhet t’i marrin përgjegjësitë, aksionarë janë edhe minatorët”, tha Haradinaj.
Ai ka kërkuar që pjesa e “Trepçës” në jug sa më shpejt duhet t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme për regjistrim.
Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahiri, duke kujtuar grevën e para 30 vitesh, tha se sakrifica e bërë në të kaluarën sot duhet të shërbejë për unifikim në drejtim të arritjes së objektivave zhvillimore në ndërmarrjen Trepça.
Në tetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për “Trepçën”, derisa këtë vit ka miratuar edhe statutin e “Trepçës”, që i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.