Qerkini: Sami Lushtakut iu cenua privatësia nga Specialja, ai nuk është i dyshuar

19:33 | 11 Mars 2024
qerkini:-sami-lushtakut-iu-cenua-privatesia-nga-specialja,-ai-nuk-eshte-i-dyshuar

Avokati i Sami Lushtakut, Artan Qerkini, ka ritheksuar se klienti i tij nuk është i dyshuar nga Gjykata Speciale, anipse të premten e javës së kaluar iu konfiskua telefoni.

Qerkini, në një intervistë për “Five”, tha se konfiskimi i telefonit të Sami Lushtakut përbën cenim të privatësisë dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

“Sikurse herave të kaluara, Lushtakut i është konfiskuar telefoni. Kur thashë herave të kaluara e kam fjalën për personat e tjerë. Kjo procedurë e konfiskimit është e njohur… Edhe Lushtakut I është konfiskuar telefoni mobil, i vetmi veprim ka qenë konfiskimi i telefonit, s’ka pasur tjetër procedurë. Kjo procedurë është zhvilluar në objektet e EULEX-it sepse edhe procedura e konfiskimit të telefonit kërkon disa formalitetet dhe ato janë bërë në zyrat e EULEX-it”, tha ai.

Sipas tij, është e pakuptimtë që të konfiskohet telefoni i dikujt që nuk është i dyshuar.

“Ashtu do duhej të ishte, mirëpo vendimi që është lëshuar nga gjykata, nuk lë të nënkuptohjet se Lushtaku është i dyshuar, vërejtjet e mia ishin në drejtim të asaj që nuk mund të ketë invazion aq të madh në privatësi e i cili nuk është i dyshuar. Një person i cili është i dyshuar se ka kryer ndonjë vepër penale, prandaj edhe pritshmëritë e atij personi për privatësi janë të vogla. Interesi publik e dominon privatësinë, mirëpo nëse nuk e ka statusin e dyshuarit dhe ia marrin telefonit përbën cenim të privatësisë dhe që bie ndesh me nenin 8 te konventës evropiane për të drejtat e njeriut”, tha ai.

Veprime të tilla, sipas Qerkinit, Gjykata Speciale i ka bërë edhe ndaj personave të tjerë.

Komento: