
Përfaqësuesi i shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur Bajram Qerkini, u ka bërë thirrje të gjitha shoqatave që mos të takohen me përfaqësues të partive politike gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas tij, të gjitha shoqatat e personave të pagjetur nuk duhet të politizohen. Sipas tij, në institucione që merren me këtë çështje duhet të jetë të përfaqësuar të gjithë, por jo të ndërhyhet në punë e shoqatave.
“Unë jo tash po edhe shumë herë kam fol, kam thënë larg-larg politikës të gjitha shoqatave të personave të pagjetur. Na jem njerëz të cilët i kërkojmë më të dashurit tonë, pa dallim të cilët kanë humbur dhe nuk e dimë ku janë”, ka thënë ai.
“Nuk duam politikë, nuk i duam njerëzit që na dalin në politikë dhe bëj apel nga këtu, asnjë shoqatë mos të lejojë me ju shku brenda në shoqatë kush i ka zyrat se pak kanë zyre, apo të dalin në fushatë”, u shpreh Qerkini.
Partitë politike kanë nisur gjatë së mërkurës fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare për zgjedhjet e 14 shkurtit.