Qetësohen gjakrat te Napoli, Osimhen i kërkoi falje Garcias

20:59 | 25 September 2023

Victor Osimhen dhe Napoli janë gati të vazhdojnë përpara pasi lojtari raportohet se i kërkoi falje trajnerit, Rudi Garcia, pas një përplasjeje që patën të dielën mbrëma.

Napoli luajti baras dhe pa gola në ndeshjen ndaj Bolognas, në të cilën sulmuesi nigerian e humbi një penallti.

Pastaj, në minutën e 86-të, Garcia vendosi ta largojë Osimhenin nga loja, duke inkuadruar Giovanni Simeonen.

Kjo nuk i pëlqeu aspak 24-vjeçarit, i cili u pa duke u grindur me trajnerin lidhur me këtë vendim.

Pavarësisht zhgënjimit, Osimhen e di se vendimi i trajnerit është përfundimtar dhe duhet respektuar. Duke e kuptuar këtë, golashënuesi kryesor i Napolit kërkoi falje në dhomat e zhveshjes menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, sipas raportimeve nga “Calciomercato”.

Stërvitja e mëngjesit të së hënës dha gjithashtu një mundësi për Osimhen dhe Garcia për të vlerësuar skenat të dielën, megjithëse raportohet se nuk kishte argumente të mëtejshme për komplikime të situatës.

Tashmë gjithçka duket e mbyllur dhe të dy e kanë lënë prapa atë që ndodhi.

Kësisoj, nuk do të ketë ndonjë masë ndaj Osimhenit, teksa ai dhe pjesa tjetër e ekipit po vazhdojnë me përgatitjet për ndeshjen e së mërkurës, ndaj Udineses. /Gazeta Express

Komento: