Qeveria bën ekzekutimin e pjesshëm të pagave, shkaku i grevës në sektorin publik

18:02 | 31 Gusht 2022

Murati: Shkaku i grevës në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se ekzekutimi i pagave në sektorin publik, është bërë pjesërisht për muajin gusht.

Sipas tij, kjo ndodhë për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

“Kemi konsideruar të padrejtë që të shkojmë në ndalesë uniforme por kemi dashur të kërkojmë nga komunat të na njoftojnë për vullnetin e lirë të pjesëmarrësve, nëse kanë marrë pjesë në grevë apo jo. Nisur nga këto ne kemi parë të nevojshme dhe të arsyeshme që të shikojmë ato lista, prandaj nuk kemi arritur që të procedojmë me pagesën e pagave në ditën e sotme”, ka thënë Murati.

Në këtë mënyrë ai rikonfirmoi edhe një herë se ata që janë në grevë, nuk do të marrin paga për aq ditë sa kanë munguar.

“Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”.

Ai ka thënë se lista e anëtarësisë së SBAShK-ut është në thesar.

“Nëse nisemi nga deklaratat e SBAShK-ut, ku thuhet se të gjithë të anëtarësuarit janë në grevë, atëherë do të duheshin që të gjithë ata të pezulloheshin nga pagat. Një pjesë e tyre kanë dalë në vendin e punës, një pjesë e tyre janë në pushim kolektiv dhe jo në grevë, ka pasur shumë që hapur janë deklaruar kundër grevës”.

Komento: