Duket të ketë një dallim të madh mes Qeverisë britanike dhe asaj kosovare sa i përket numrin të këshilltarëve.
Ish- ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti, ka bërë një krahasim mes numrit të këshilltarëve që kanë qenë të angazhuar në tërë qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe këshilltarëve të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan AktivPress.
“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në kohën e Kryeministrit Cameron – kohë kur kam qenë ambasador i Kosovës në Londër – ka pasur gjithsej 68 këshilltarë politikë (quhen ‘special advisers’)”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në Facebook.
Shumica e ministrave, sipas tij, i kanë pasur nga dy këshilltarë.
“Ministri i Mbrojtjes një, ministri i Jashtëm tre (i kam njohur të tretë, njëra prej të cilave, Arminka Helic, tash është anëtare e Dhomës së Lordëve), më së shumti ministri i Financave (Sekretari i Thesarit, në emërtimin zyrtar) gjashtë. Në kryeministri kanë punuar 18 këshilltarë. Kaq sa për krahasim”, ka shkruar ish- diplomati kosovar.
Ky reagim i tij, vije një ditë pasi u bë e ditur se vetëm kryeministri, Ramush Haradinaj pritet t’i angazhojë 34 këshilltarë, për sa kohë që zëvendëskryeministrat do t’i kenë nga 9 deri në 11 sosh