Qeveria dëshiron me ngulm ta shuajë AKP-në, por çka më pas?

19:35 | 04 June 2021

Qeveria e do shuarjen e AKP-së por pa plan më tutje.

Qeveria e Kosovës po planifikon të mbyllë Agjencinë Kosovare të Privatizimit, por nuk ka vendosur një plan të ri se si do të vazhdojë privatizimin dhe çështjet të cilat dalin nga ky proces.

Në qeveri, thonë se këto çështje do t’i takojnë bordit të AKP-së, i cili pritet të emërohet së shpejti nga qeveria.

Kuvendi i Kosovës, më 27 maj ka shkarkuar bordin e AKP-së dhe ka kërkuar nga qeveria që të propozojë përbërjen e re të anëtarëve të bordit.

Shkarkimi i bordit të AKP-së ka qenë hapi i parë drejt shuarjes së AKP-së, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Bordi i ri AKP-së, i përbërë nga anëtarë profesionistë që qeveria do t’ia propozojë Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të përmbyllë çështjet e nevojshme për shuarjen e AKP-së”, tha Kryeziu.

Ai tha se ky bord do të vendosë se si do të trajtohen çështjet e mbetura në këtë agjenci.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, kur është shkarkuar bordi i AKP-së, kryeministri Albin Kurti ka thënë se AKP-ja duhet të shuhet se duhet të ndërtohet Fondi Sovran. Por, në planprogramin e qeverisë, nuk jepen detaje se çfarë funksioni do të ketë ky Fond Sovran.

Ajo çfarë dihet deri më tani për këtë Fond Sovran, siç janë deklaruar në Qeverinë e Kosovës, është që ai do t’i marrë nën pronësi asetet (pronat, pasuritë) strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre.

Shuarja e AKP-së proces kompleks

Shuarja e AKP-së ka ngritur dilema të shumta në publik. Fakti se janë edhe shumë prona të paprivatizuara dhe shumë procese gjyqësore që lidhen me AKP-në, ka krijuar paqartësi rreth vazhdimit të procesit të shuarjes së kësaj agjencie.

Në procesin e privatizimit, janë të paprivatizuara edhe rreth 2,000 prona shtetërore. Ndërkaq, nga 3.951 asete të identifikuara për privatizim, deri më tani janë privatizuar 2065 prej tyre. Këto asete në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.

Gjatë procesit të privatizimit, sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, rreth 25 mijë lëndë janë në procese gjyqësore, prej të cilave 20 mijë lëndë trajtohen në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, që kanë të bëjnë me konteste që lidhen direkt me asetet e ndërmarrjeve shoqërore dhe punën e AKP-së.

Gjithashtu, pranë gjykatave të rregullta të Republikës së Kosovës ekzistojnë 5 mijë lëndë të cilat janë iniciuar nga AKP-ja për interes të ndërmarrjeve shoqërore. Në këto konteste, AKP-ja si përfaqësuese e ndërmarrjeve shoqërore, është si palë paditëse.

Profesori i ekonomisë Musa Limani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se mënyra se si i është qasur qeveria AKP-së është e gabuar dhe nuk do të jep ndonjë efekt pozitiv në zhvillimin ekonomik.

Ai thotë se nuk mund të shuhet AKP-ja, derisa nuk shiten të gjitha astetet e ndërmarrjeve shoqërore dhe të dihet pronari i saktë i këtyre ndërmarrjeve.

“Pajtohem plotësisht që qeveria duhet të marr në mbikëqyrje procesin e privatizimit dhe po ashtu edhe mjetet që fitohen nga ky proces. Por, është një çështje komplekse. Nuk duhet të ngutet. Sa kam unë informacione, kërkesat e kreditorëve janë mbi 2 miliardë euro. Nuk janë paguar ende 20 përqindëshi i punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara, që iu kanë takuar me ligj, po ashtu ka asete të paprivatizuara”, thotë Limani.

Qeveria e Kosovës duhet të ndalë keqpërdorimet dhe abuzimet në AKP, thotë Limani dhe në këtë mënyrë ta vë në binar procesin e privatizimit.

Për të gjitha këto procese gjyqësore dhe astetet e paprivatziuara, duhet të gjendet një formë se si do të trajtohen, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

“Ne mendojmë se duhet të ketë debat gjithëpërfshirës. Nuk është thjesht një vendim që duhet të merret nga Qeveria apo Kuvendi. Në këtë debat duhet të diskutohen temat për mënyrën e trajtimit të pretendimeve kreditore. Të dihet se pas mbylljes së një agjencie të tillë, kush do t’i merr përsipër kryerjen e funksioneve që aktualisht kryen AKP-ja. Cilat do të ishin kompetencat e kësaj trupe të re, cilat do të ishin strukturat e saj, kujt do t’i jepte llogari një trup i ri, i cili do ta trashëgonte AKP-në”, thotë Zeka.

Shuarja e AKP-së, e cila sipas Qeverisë së Kosovës do të shuhet në vitin e ardhshëm, sipas Zekës është çështje shumë komplekse. Ai thotë se nuk duhet të trajtohet në mënyrë të thjeshtë dhe me vendime të shpejta, pasi që mund të vendosin barrë më të madhe në shtetin e Kosovës.

“Duhet të rritet dinamizmi i transformimit të aseteve shoqërore në pronësi private, meqenëse kjo stërzgjatje e këtij procesi, është i kushtueshëm edhe në aspektin financiar. Pasi që ka një numër të madh të ndërmarrjeve që janë në pronësi shtetërore, është me rëndësi që ky proces të përfundojë sa më shpejt, ashtu që këto asete shoqërore të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik”, thotë Zeka.

Opozita kundër shuarjes së AKP-së

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku ishte shkarkuar bordi i AKP-së, partitë opozitare kishin kundërshtuar mënyrën se si është duke u zhvilluar procesi i shuarjes së AKP-së nga Qeveria e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nëse do të kishte një iniciativë serioze për shuarjen e AKP-së, do të duhej të procedohej ligji.

Ai thotë se ky proces si po bëhet nga Qeveria, do të krijojë probleme ligjore dhe do të bëjë dëme financiare.

“Nuk mund të ndërrohet mandati i bordit aktual, kushdo qofshin ata që propozohen, pasi që mandati i tyre është i përcaktuar me ligj. Pra, mandatin e tyre nuk mund të ndërrojë kryeministri me emaila”, ka thënë Tahiri.

Edhe shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se për ta shuar AKP-në, duhet të ndryshohen të paktën dy ligje, përkatësisht Ligji për AKP-në dhe Ligji për dhomën e posaçme të Gjykatës së Apelit.

“Për t’i ndërruar këto dy ligje duhet të dini diçka. Çka do të ndodh me këto 20 mijë raste. E për ta ditur se çfarë do të ndodh me këto raste duhet analizë, sepse ka shumë palë të përfshira. Për këto 20 mijë raste janë qindra miliona euro në pyetje, që mund t’i humbas Kosova”, thotë ai.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) dhe ka qenë nën menaxhimin e Misionit të Kombëve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, kjo agjenci e ka marr emrin Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe është institucion kosovar.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës së quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Komento: