Qeveria dështoi në planin legjislativ

17:36 | 12 Tetor 2023
qeveria-deshtoi-ne-planin-legjislativ

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që të bëjë disa ndryshime në programin legjislativ.

Disa projektligje që janë paraparë të miratohen në këtë vit janë shtyrë për vitin e ardhshëm, shkruan Front Online.

Pasi është marrë vendimi, kryeministri Kurti është arsyetuar se kjo po ndodhë për shkak të numrit të madh të projektligjeve për hartim e miratim këtë vit.

E, organizatat që merren me monitorim të punës së Qeverisë dhe Kuvendit, po thonë se kjo Qeveri ka probleme me planifikimin e duhur.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, thotë për Front Online se plani legjislativ nuk duhet të shihet si “fontanë dëshirash”.

“Kjo vetëm na tregon se kjo Qeveri ka probleme me planifikimin e duhur. Plani Legjislativ por edhe Plani i punës nuk duhet të shihen si ‘fontanë dëshirash’. Aktivitetet e vendosura aty duhet të lidhen me prioritetet dhe premtimet e dhëna nga kjo Qeveri. Gjithashtu, është për të ardhur keq që një qeveri që ka një shumicë parlamentare nuk po arrin të kaloj as ligjet për të cilat i duhet shumica e thjeshtë në Kuvend. Ka projektligje të cilat qëndrojnë nëpër zyrat e ministrave që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe nuk kalojnë në qeveri për aprovim e mandej të kalojnë në Kuvend, siç është edhe Ligji i Prokurimit”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, kjo nuk është hera e parë që një gjë e tillë po ndodhë nga kjo Qeveri.

“Andaj e tërë kjo është vetëm një keq planifikim që fatkeqësisht po përsëritet çdo vit nga kjo qeveri”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Po ashtu, edhe Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Front Online se tashmë është shndërruar në praktikë që agjenda legjislative e Kuvendit të varet pothuajse kryekëput nga agjenda legjislative e Qeverisë

Kurse, deklaron se kjo e  fundit për shkak të dinamikave qofshin politike apo procedurale nuk po arrin që ta përmbush as vet në tërësi planin legjislativ.

 “Problemi me këtë fenomen qëndron në faktin që pastaj shpesh herë grumbullimi i ligjeve dhe bartja e shumë prej tyre për vitet pasuese ka bërë që Kuvendit t’i dërgohet një numër shumë i madh i ligjeve e që pastaj ka pamundësuar ndonjëherë edhe trajtimin përmbajtësor e adekuat të tyre nga ana e komisioneve parlamentare pikërisht për shkak të numrit shumë të madh të tyre”, ka pohuar ai.

Cakolli, thotë se është me rëndësi të dihen arsyet se përse po shtyhen projektligjet.

“Shtyrja e projektligjeve dhe bartja e tyre është problematike, mirëpo ka shumë rëndësi arsyet se përse ka ndodhë një gjë e tillë, pra nëse kemi të bëjmë me vonesa procedurale dhe harmonizimin e legjislacionit është çështje tjetër e nëse është vullnet i Qeverisë për të mos ndjekur projektligje të caktuara është çështje tjetër”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Ndërsa, për arsyetimin e kryeministrit Kurti i cili tha se kjo po ndodhë për shkak të numrit të madh të projektligjeve për hartim e miratim këtë vit, Cakolli thotë se ky është arsyetim formal i të parit të Qeverisë.

“Çështja është se pavarësisht arsyetimit formal është me rëndësi të dihet se a ka ardhur kjo për shkak të pamundësisë së ministrive për t’i hartuar projektligjet që nëse është rasti atëherë është problematike sepse askush në fakt nuk ka më shumë se Qeveria resurse për të shtyrë përpara projektligje”, thotë Cakolli.

Kurse, ka pasur disa kritika për Qeverinë.

“Qeveria duhet ta dijë në fillim të vitit se a ka kapacitete për miratimin e tyre, apo jo, e jo të pres në muajin e dhjetë të vitit që të vendos për shtyrjen e disa projektligjeve për vitin pasues, dhe kjo pastaj tregon edhe planifikim jo të duhur nga ana e tyre”, ka shtuar ai.

Projektligjet që janë shtyrë për vitin tjetër janë:

-Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin për bashkëpunim ndërkomunal (MAPL)

– Projektligji për Planifikim Hapësinor (MMPH)

– Projektligji për harmonizimin e ligjeve veçanta me ligjin numër 08/L-067 për Inspektimet

– Projektligji për harmonizimin e ligjeve veçanta me ligjin numër 04/L-202 për sistemin e lejeve dhe licencave

– Shtyhet afati deri më 31 dhjetor për Projektligjin për banim social (MMPH)./ Front Online /

 

 

 

 

Komento: