Qeveria e Kosovës të dielën ka mbajtur mbledhje elektronike ku ka miratuar dy nisma që kanë të bëjnë me bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut.
E para ka të bëjë me pikatë e përbashkëta kalimit kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, si dhe nisëm e lidhjes së memorandumit të mirëkuptimit në fushën e energjisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar: Nismën për lidhjen e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovë dhe Qeverisë së Republikës Maqedonisë së Veriut për Implementimin e Marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë. – Nismën për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e tyre”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë Veriut do të mbajnë të hënën mbledhje të përbashkët.
Zyra e kryeministrit Albin Kurti e ka bërë të ditur agjendën finale për mbledhjen e përbashkët që mbahet nesër në Prishtinë.
Agjenda:
Në 10:30 – 10:45 pritet mbërritja e delegacioneve e më pas edhe ajo e kryeministrave.
Pas ceremonisë zyrtare dhe fotografisë së përbashkët, kryeministrat Albin Kurti dhe Hristjan Mickoski pritet ta zhvillojnë fillimisht një takim bilateral.
Këtë takim do ta pasojnë takimet bilaterale ndërmjet ministrave (homologëve) të qeverive, ndërsa më pas pritet të zhvillohet takimi ndërqeveritar.
Nënshkrimi i marrëveshjeve të parapara pritet të bëhet pas takimit.
Kurti dhe Mickoski do ta mbajnë më pas edhe një konferencë për media.
Agjenda mbyllet me një drekë zyrtare.