Qeveria e Kosovës navigon mes nacionalizmit dhe pritjeve të SHBA-së

17:40 | 06 October 2024
qeveria-e-kosoves-navigon-mes-nacionalizmit-dhe-pritjeve-te-shba-se

Nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, Kosova ka bërë hapa që disa ekspertë thonë se i sfidojnë normat tradicionale diplomatike.

Me fjalët e Daniel Serwerit, profesor në Universitetin Johns Hopkins, “amerikanët nuk janë mësuar me një kryeministër të Kosovës që sillet si kryeministër i një shteti sovran”.

“Ata mendojnë se ai duhet të konsultohet për gjithçka. Madje, janë mësuar që kryeministrat e Kosovës të ndjekin shumë udhëzime nga Uashingtoni. Dhe, ta them të vërtetën, sjellja e Kurtit nuk pranohet mirë prej tyre”, thotë Serwer për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown, thotë se Kurti po i vendos interesat e brendshme politike përpara interesave kombëtare.

“Ngritja kundër Uashingtonit, shfaqja e muskujve dhe tregimi i njëfarë autonomie duket se e ndihmojnë Kurtin për të fituar popullaritet. Unë e shoh këtë si një lojë dritëshkurtër. Mund të jetë politikisht e dobishme në afat të shkurtër, por është e rrezikshme në afat të gjatë”, thotë Kupchan.

Kurti, sidomos në dy vjetët e fundit të qeverisjes, e ka pasur shtrirjen e kontrollit në zonat me shumicë serbe në veri të Kosovës pjesë të rëndësishme të politikës së tij.

Mes tjerash, ka zëvendësuar targat serbe me targa të Kosovës, ka instaluar kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe dhe ka hequr nga përdorimi dinarin serb.

Për SHBA-në – e cila kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – të gjithë këta hapa kanë qenë të njëanshëm dhe të pakoordinuar dhe kanë ndikuar, sipas saj, në partneritetin mes dy vendeve.

Veprimi i fundit i Kurtit që ka zemëruar Uashingtonin, ka qenë mbyllja e disa institucioneve paralele serbe në veri – më 30 gusht – prej nga komuniteti lokal prej vitesh ka marrë shërbime të ndryshme.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka lëshuar atëkohë një nga kritikat më të ashpra për Qeverinë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet që janë në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, paraqet një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”, është thënë në reagim.

Javën e kaluar, ka pasur raporte se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, konkretisht në fushën e trajnimeve, si masë ndëshkuese.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Ambasada amerikane ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar vazhdimin e trajnimeve të Policisë së Kosovës, porse, aktualisht, nuk ka ndonjë vendim.

Ato ditë, Kurti ka qenë për një vizitë në SHBA, ku, mes të tjerëve, ka takuar ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, por nuk ka bërë të ditur se për çfarë është biseduar.

Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, përkundër mospajtimeve për disa çështje.

Kupchan nuk pajtohet plotësisht. Ai thotë se marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë e Kosovës janë në nivelin më të ulët ndonjëherë.

“Uashingtoni dhe partnerët e Uashingtonit në Evropë nuk ndihen rehat me kthesën më konfrontuese që ka marrë kryeministri Kurti kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka qenë një periudhë e gjatë, kur Serbia është parë si problem, kur Serbia e ka penguar përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike. Por, Kurti e ka ndryshuar këtë. Tani kemi më shumë kritika të drejtuara ndaj Prishtinës sesa ndaj Beogradit”, thotë Kupchan për Exposenë.

Për të, kjo ka një shpjegim: Në Kosovë, më 9 shkurt, do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe Kurti luan me kartën nacionaliste.

“Duke parë pothuajse në çdo vend tjetër të botës se nacionalizmi funksionon mirë, Kurti mbyll institucione paralele serbe, instalon kryetarë shqiptarë në komunat me shumicë serbe, ndryshon rregullat e kartave të identitetit apo të targave të makinave…”.

“Si shtet sovran, Kosova ka plotësisht të drejtë t’i bëjë këto gjëra, por mua nuk më duken hapa të zgjuar, nëse merret parasysh qëllimi final, që është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe hapja e rrugës për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet atlantike”, thotë Kupchan.

Kurti nuk është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për më shumë se një vit. Ai është shprehur skeptik edhe për thirrjet që u ka bërë Vuçiq serbëve të veriut që të riintegrohen në institucionet e Kosovës, pas largimit masiv në vitin 2022, për shkak të vendimit për targat.

Serwer beson se SHBA-ja nuk do ta tërheqë kurrë mbështetjen e saj për Kosovën si shtet i pavarur, por pranon se ndihma amerikane mund të ndryshojë. Ai thekson nevojën për më shumë diplomaci në adresimin e çështjeve që, siç thotë, mund të mos i përmbushin pritjet e SHBA-së.

“Mendoj se është koha që t’iu jepet prioritet marrëdhënieve me amerikanët, të shihet se çfarë mund të bëhet për të siguruar më shumë mbështetje prej tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Unë nuk do të bëja fare kompromis për këtë, por do t’i thosha Uashingtonit: epo mirë, çfarë të duhet? Na trego çfarë të duhet dhe ne do të shohim se çfarë mund të bëjmë”, thotë Serwer.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë për Kosovën mbi dy miliardë dollarë që nga viti 1998. Mbështetja e tyre ka qenë vendimtare për fushatën e bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi – e cila i ka dhënë fund luftës në Kosovë – e pastaj edhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Uashingtoni ka qenë ndër të parët që e ka njohur shtetësinë e Kosovës në vitin 2008. Ai i ka trupat e veta ushtarake në Kosovë, të angazhuara në misionin e NATO-s, KFOR, dhe udhëheqësit e Kosovës përsërisin shpesh se SHBA-ja është partnerja më e rëndësishme e Kosovës.

Rel-i ka pyetur Departamentin amerikan të Shtetit se si i vlerëson marrëdhëniet aktuale me Qeverinë e Kosovës dhe, në përgjigje, prej tij kanë kërkuar që të merret për bazë një deklaratë e zëdhënësit Matthew Miller nga muaji gusht, i cili ka thënë se Kosova “po i vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni e ka ndihmuar t’i krijojë”.

Sipas analistëve, gjëja e fundit që i duhet Kosovës tani, është të gjendet e izoluar politikisht, sepse “është një vend i vogël, që jeton në një rajon të rrezikshëm”.

“Çdo vend i vogël ka nevojë për aleanca për të mbijetuar dhe lulëzuar. Nuk ka dyshim për këtë. Si mbijeton Luksemburgu? Si mbijeton Belgjika? Si mbijeton Holanda? Ato mbijetojnë, sepse janë në një sistem miqsh dhe aleatësh, që u mundëson të mbijetojnë dhe të lulëzojnë”, thotë Serwer.

Për Kupchanin, suksesi afatgjatë i Kosovës si shtet, qëndron tek aftësia e saj për t’i naviguar me kujdes marrëdhëniet e jashtme, sidomos me aleatë të fuqishëm si SHBA-ja. Hapat e njëanshëm janë problem, sipas tij.

“Mund të ndodhë që pas zgjedhjeve, Kurti – duke supozuar se do të rizgjidhet – të ketë një qasje tjetër, sepse zgjedhjet do të jenë pas tij dhe për të do të bëhet më e lehtë që të përqafojë një pozicion më bashkëpunues dhe më pak konfrontues”, thotë Kupchan.

Pavarësisht marrëdhënieve SHBA-Qeveri e Kosovës dhe tatëpjetave mes tyre, një gjë është e sigurt: ato nuk mund ta zbehin entuziazmin e kosovarëve për udhëheqjen e shtetit më të fuqishëm në botë.

Një sondazh që ka publikuar kompania amerikane e analizave, Gallup, në muajin prill, ka gjetur se Kosova ka vlerësimin më të lartë për lidershipin amerikan në mesin e 134 vendeve dhe territoreve të anketuara.

Kjo, edhe përkundër disa ndëshkimeve. Në maj të vitit të kaluar, Kosova është përjashtuar nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe ‘23”, sepse Qeveria e saj nuk e ka dëgjuar këshillën e SHBA-së për hapa drejt uljes së tensioneve në veri të vendit.

Njësoj në ujëra të turbullt, për arsye të ngjashme, Kosova është edhe me BE-në, e cila ka në fuqi disa masa ndëshkuese.

Nëse Qeveria do ta gjejë rrugën për t’u ribërë partnere e besueshme, apo do të vazhdojë të dirigjohet nga ambiciet e veta, mbetet për t’u parë, përfundojnë analistët. /REL

Komento: